Sulmuesi kenian Ismael Dunga sot ka shënuar në fitoren e thellë 8-0 të Vllaznisë ndaj Elbasanit për kupë duke treguar se po vjen në formën e duhur dhe tashmë është një forcë më tepër në dispozicion të stafit teknik për repartin ofensiv.
Por nga ana tjetër, duket se kemi të bëjmë me një futbollist të pandreqshëm. Dunga mesa shihet, “ia ka fiksim” 11-metërshat dhe pavarësisht se nuk është i ngarkuar nga ana e trajnerit për t’i ekzekutuar ato, tenton me çdo kusht ta bëjë këtë gjë.
Ky “ves” i keq i këtij lojtari u konstatua më 17 shtator në ndeshjen miqësore ndaj Tiranës në Shkodër kur ai pati një debat me Markun dhe në fund e fitoi “duelin” duke mos ia lëshuar topin dhe nga pika e bardhë sulmuesi kenian u tregua i saktë duke shënuar.
Ajo e para dy muajve ishte thjesht një ndeshje miqësore dhe stafi mund të ketë toleruar, por ai e ka përsëritur sërish sot në ndeshjen e Kupës me Elbasanin. Fotoja e këtij shkrimi e tregon më së miri këtë gjë.
Ka qenë minuta e 15-të kur Vllaznia fitoi një 11-metërsh dhe Dunga vrapoi për të marrë topin në dorë dhe për ta gjuajtur ai nga pika e bardhë. Në të njëjtën kohë është afruar edhe Imeri, lojtari i caktuar nga stafi dhe mes tyre për disa sekonda ka patur një debat, madje sulmuesi afrikan donte ta mbante me çdo kusht topin në dorë.
Por në fund është bindur duke ia lëshuar atë Imerit që e ka ekzekutuar 11-metërshin dhe ka shënuar. Ky veprim i Dungës nuk i ka pëlqyer trajnerit Brdariç që u pa të thirrte Adilin të cilin e kishte afër në ato momente dhe me shenja dallohej qartë se po i thoshte diçka për Dungën.
Në fakt një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet më, sepse në rradhë të parë nuk është normale dhe më pas, është një veprim jo i rregullt i futbollistit dhe për këtë arsys ai duhet të ndëshkohet. “Vesi” i tij nuk duhet të ketë vend te Vllaznia./SHKODRA-SPORT.COM/