Laçi që nga periudha kur është ringjitur në Superligë ka qenë një skuadër faktor në fatet e kampionatit. Kurbinasit kanë qenë të vështirë për tu kaluar për këdo. Përjashtim nuk bën as Vllaznia, ku në një moment bardhezinjtë cilësoheshin si “macja e zezë”. Por ky trend duket se ka ndryshuar disi në 2-3 sezonet e fundit.

Sidomos në përballjet Vllaznia-Laçi në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”, kuqeblutë kanë qenë dominues në këto sezone.

Laçi që nga viti 2018 ka zhvilluar 6 transferta në Shkodër. Nga këto ka marrë një barazim 0-0 në sezonin 2019-20. Një fitore në sezonin që kaloi në shifrat 1-2 me golat e Nuabuezes dhe Harmon.

Ndërsa pjesa tjetër e takimeve flasin për 4 fitore të Vllaznisë. Në sezonin 2017-18 me rezultatin 1-0 shënonte Sukaj, në sezonin 2019-20 po 1-0 ku vendoste një supergol i Hygor. E po ashtu dy fitore sezonin që lamë pas 2020-21.

Ku një sukses erdhi në kupë në shifrat 1-0 ku goli shënohej nga Hoxhaj. E gjithashtu fitorja e fundit në javën e fundit të kampionatit në shifrat 2-0, shënonin Marku dhe Dilaver.

Sipas statistikave të sezoneve të fundit Vllaznia e ka dominuar Laçin në Shkodër. Duket se tashmë humbjet me laçianët janë “kujtime të largëta” dhe tifozët shkodranë shpresojnë që ekipi i tyre i zemrës edhe ditën e shtunë të fitojë e të pasurojë shifrat e kësaj sfide.
Endri ÇINARI