Vllaznia mori një humbje tjetër në javën e 26-të të Superiores ditën e djeshme ku u mposht nga Laçi në shifrat 2-0. Shkodranët pas kësaj disfate komplikojnë shumë çështjen për titullin kampion, ku Partizani dhe Tirana janë tashmë 7 pikë sipër kuqebluve dhe po kryesojnë bindshëm në kampionat. Por statistikat tregojnë se ekipi 9 herë kampion i vendit përputhet me vendin akutal në renditje.

Kjo pasi Vllaznia për sa i përket numrit të golave të pësuar është ekipi i tretë me mbrojtjen më të mirë, ku kuqeblutë janë ndëshkuar 25 herë këtë sezon.

Më mirë në këtë aspekt kanë bërë vetëm Egnatia dhe Tirana që respektivisht secila nga skuadrat ka pësuar vetëm 23 gola. Duke qenë në këtë mënyrë dy mbrojtjet më të mira të kampionatit deri më tani.

Por ajo çfarë bën diferencën tek Vllaznia, janë golat e shënuar pasi shkodranët janë të pestët përsa i përket kësaj renditjeje virtuale deri më tani në Superiore. Vllaznia ka shënuar 29 gola pas 26 javësh kampionat.

Më mirë kanë bërë Tirana me 38 gola që ka sulmin më të mirë në kampionat, po ashtu Partizani me 35 të tillë dhe vijon Egnatia me 31 gola dhe Laçi mbyll katërshen e parë me 30 gola të shënuar.

Statistikat tregojnë që Vllaznia momentalisht i përket një skuadre të mesit të renditjes, ashtu siç e tregon edhe renditja aktuale. E patjetër me një skuadëtr, ku elementët cilësorë nuk mungojnë dhe objektivat janë madhorë diçka duhet të ndryshojë në 10 javët e fundit të kampionatit, ku do kërkohet maksimumi në çdo ndeshje për të arritur rezultatet e kërkuara nga drejtuesit, por edhe tifozët.
Endri ÇINARI