Edicioni i sapopërfunduar në futbollin e grupmoshave ishte jashtëzakonisht i suksesshëm për vëllezërit Spahija, Florin dhe Orgesin. Të dy u shpallën kampionë Shqipërie, me ekipe të ndryshme dhe në grupmosha të ndryshme të ekipeve të Vllaznisë.
Kështu, Flori triumfoi me ekipin e U-21, kurse Orgesi me ekipin e U-17. Në fakt, të kesh dy kampionë në një shtëpi është një ndjesi fantastike dhe një gjë të tillë padyshim që po e përjeton edhe familja Spahija.
Orgesi ka shijuar titullin e parë profesionist, ndërsa Flori tashmë është mësuar me suksese, të cilat nuk po i ndahen në edicionet e fundit me grupmoshat e Vllaznisë.
Kujtojmë këtu që, Flori Spahija është pjesë edhe e ekipit të parë kuqeblu, por këtë sezon aktivizimet më të shumta i ka pasur me U-21, teksa në 18-ndeshje të luajtura ka shënuar edhe katër gola.
Maringlen ZHIVANI