Në dy ndeshjet e fundit të Abssinet Superiore, përveç rezultatit, ka patur edhe dy momente që duhen veçuar tek ekipi i Vllaznisë. Në takimet e fundit të kampionatit, shkodranët të kushtëzuar nga mungesat, tashmë po u japin hapësira disa lojtarëve të rinj.

Kështu, në ndeshjen ndaj Dinamos, luajti me fanellën kuqeblu 19-vjeçari, Geralb Smajli. E dyta ndeshje zyrtare e tij me Vllazninë në kampionat dhe menjëherë në ato minuta që luajti, ra në sy për mirë.

Ndërkohë, në ndeshjen e fundit, atë të luajtur mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena” ndaj Kukësit, pati një tjetër lojtar të ri të aktivizuar. Këtë herë bëhet fjalë për mbrojtësin Klejdi Paloka.

19-vjeçari tjetër u aktivizua nga ana e trajnerit Brdariç, në minutën e 69-të, në vend të Heriç, në mesfushë para mbrojtjes së bashku me Krymin dhe për ato 25-minuta që luajti, dha shenja të mira.

Në fakt, kemi të bëjmë me dy futbollistë si Paloka apo edhe Smajli, me të dhëna të mira, por që i duhet të punojnë fort dhe të bindin çdo ditë e më shumë trajnerin Thomas Brdariç për vlerat e tyre.

Shenjat e para janë shumë të mira. Ndryshe nga pjesa e parë e sezonit, këtë pjesë të mbetur, stafi teknik i Vllaznisë, me në krye trajnerin Brdariç, duket se ka ndërmend t’u krijojë më shumë hapësirë lojtarëve të rinj dhe kjo është diçka shumë pozitive.

Megjithatë, kuptohet që ka shumë lojtarë të rinj dhe në fakt Vllaznisë asnjëherë nuk i kanë munguar lojtarët e rinj të talentuar, teksa Klejdi Paloka dhe Geralb Smajli janë dy prej tyre. Tashmë, ëndrrat e këtyre lojtarëve kanë filluar të bëhen realitet…
Maringlen ZHIVANI