Vllaznia nuk shkoi me shumë se barazimi pa gola me Kukësin në transfertë, teksa për të disatën herë rradhazi, ai që bëri një ndeshje të mirë, ishte Ardit Krymi, që është shtylla e mesfushës së Vllaznisë.

Krymi është një lojtar tepër vendimtar në mesfushë, teksa i jep një tjetër fytyrë mesfushës së Vllaznisë. 25-vjeçari, i cili sot mbajti edhe shiritin e kapitenit, në mungesë të Gurishtës, ka spikatur çdo sezon e më tepër me kuqeblutë dhe falë këtyre paraqitjeve, ai ka hyrë në planet e merkatos së disa klubeve të huaja.

Krymit i përfundon kontrata në fund të këtij sezoni dhe drejtuesit e shkodranëve duhet të tentojnë të futen sa më parë në negociata me të, në mënyrë që edhe në qoftë se, largohet në merkato, klubi i Vllaznisë, të përfitojë diçka financiarisht.

Ardit Krymi me Vllazninë ka luajtur kryesisht në qendër të mesfushës, teksa këtë sezon në këmbet e tij me shkodranët, ka plot 1939 minuta, duke u aktivizuar kështu në 22 ndeshje të Abissnet Superiore.
Maringlen ZHIVANI