Jurgan Klop duket qartësisht se po bëhet gati të marrë drejtimin e Gjermanisë. Në një intervistë të dhënë për “Severus TV”, ai ka pranuar se është i interesuar që të marrë vendin e Nagelsman dhe të nisë një cikël të ri.
Trajneri i njohur është pushim prej dy vitesh, pasi u largua nga Liverpuli, teksa në këtë periudhë ka kryer detyrën e përgjegjësitë të departamentit të futbollit për kompaninë Red Bull e cila zotëron disa klube anembanë botës.
“Po, bisedimet kanë filluar vërtet dhe thjesht mendoj se ka kuptim që unë, personi për të cilin është folur shumë kohët e fundit, të them diçka edhe për këtë. Do të doja ta bëja këtë këtu sepse nuk është një situatë e lehtë. Kam një punëdhënës si Red Bull, për të cilin më pëlqen shumë të punoj. Kam një ekip me të cilin punoj shumë ngushtë. Njerëz që i kam njohur shumë, shumë mirë në pothuajse dy vjet. Dhe nuk heq dorë thjesht nga diçka e tillë, ose të paktën unë nuk e bëj.
Nga ana tjetër, ekziston një detyrë shumë, shumë tërheqëse, një detyrë shumë e rëndësishme, me punën ose pozicionin e trajnerit të kombëtares. Nuk ka si të mos them jam padyshim i interesuar. Jam gjithashtu i interesuar për diskutimet, por sigurisht, situata aktuale është e tillë që Oliver Mintzlaff (shefi i Red Bull) është pika ime e parë e kontaktit. Red Bull duhet të bjerë dakord me këtë, dhe besoj se do ta bëjnë. Në përgjithësi, nuk e prisja që kjo të ndodhte në ndonjë formë në këtë pikë. Kam mbajtur gishtat e kryqëzuar për ekipin kombëtar gjerman, duke shpresuar se gjërat do të shkonin më mirë se ç’shkuan”, tha Klop.


