Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Situata në stadiumin “Loro Boriçi” pak ditë para Europës nuk është aspak e mirë. Ndërsa Vllaznia po përgatitet për sfidën e 9 korrikut ndaj Malishevës në turin e parë të UEFA Conference League, gjendja e tribunës VIP dhe e pankinave mbetet e papranueshme.
Stolat janë të amortizuar dhe të dëmtuar, duke krijuar një pamje që nuk i shkon aspak një impianti ku do të zhvillohet një ndeshje europiane. Edhe pse në buxhetin e vitit 2026 të Bashkisë Shkodër është parashikuar fond për zëvendësimin e stolave dhe rikonstruksionin e pankinave, deri tani procedurat nuk kanë përfunduar dhe ndërhyrjet mungojnë.
Bashkia Shkodër duhet të ndërhyjë sa më parë, duke zëvendësuar stolat në tribunën VIP dhe në pankinat e dy ekipeve. Nuk është normale që skuadra pjesëmarrëse në garat europiane dhe delegacionet e UEFA-s të përballen me një gjendje të tillë. Pak investim dhe vullnet mjaftojnë për të shmangur një imazh që dëmton jo vetëm stadiumin, por edhe qytetin e Shkodrës.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”



