Mund t’iu duket e pabesueshme por është një realitet. Shumë ish-sportistë të spikatur shqiptarë që kanë provuar të veshin fanellat e disa klubeve më në zë të vendit apo dhe kombëtareve tona, punojnë në klube të ndryshme, si drejtues, trajnerë apo dhe menaxherë. Një ndër ta është edhe Uliks Kotrri, shkodrani që ka luajtur në Austri dhe që karrierën e mbylli te Vllaznia në Superiore në vitin 2008.

Kotrri falë njohjeve punoi si menaxherë në klube të Europës por edhe në kontinente të tjera. Nga Egjipti ai solli edhe katër lojtarë që luajtën për Tërbunin në Kategorinë e Dytë disa vite më parë.

Ndërkohë që sulmuesi i njohur i Superiores, shkodrani Xhevahir Sukaj zbulon se Uliks Kotrri disa vite më parë ka qenë edhe menaxheri i sulmuesit Salah, madje ka qenë shumë pranë transferimit të tij në radhët e Dinamos së Zagrebit në Kroaci.

I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” në “Top Chanel”, Sukaj ka deklaruar se: “Mohamed Salah i famshëm që sot luan te Liverpoli dhe është një nga lojtarët më të mirë në botë aktualisht, ka qenë një futbollist që menaxhohej nga Uliks Kotrri para disa vitesh, e madje edhe e ka çuar për provë në radhët e skuadrës së Dinamos së Zagrebit.

Tratativa aty nuk është kryer me sukses, ndërsa drejtuesit e klubit nuk e kanë besuar kur është hapur si temë disa vite më pas. Në Dinamon e Zagrebit lojtarët që shkojnë regjistrohen sepse kështu funksionon dhe janë habitur kur kanë parë në dokumente se edhe Salah për pak kohë ka qenë pjesë e tyre por që nuk është arritur marrëveshja”, – tha Xhevahir Sukaj.