Gjermania i mbylli me fitore dy ndeshjet në kualifikueset për Europianin e 2020-ës. E llogaritur në një vit kalendarik, gjermanët kanë zhgënjyer jo pak tifozët e tyre. Në fillim eliminimi nga faza e grupeve në Kupën e Botës dhe më pas nga Liga Kombeve.
Në gjashtë ndeshje pa humbje pas eliminimit në “Nation League”, në skuadër kanë ardhur forca të reja me shqiponjën në gjoks. Fitorja 8-0 ndaj Estonisë ishte momenti më kulmor. “Sport 1” ka bërë një përmbledhje të 10 ndeshjeve në këtë sezon, duke nxjerrë në pah lojtarët që kanë bindur më shumë në fushën e lojës.
MANUEL NOJER – Në fillim të sezonit ishte ende konfuz, me Ter Shtegen që ishte në formë më të mirë. Por, besimi i Lëv e mbajti atë titullar. Luajti në 9 nga 10 ndeshjet e fundit, duke qenë si titullar 765 nga 900 minuta.
MATIAS GINTER – Sa herë që trajneri vendos të luajë me tre mbrojtës, ai është gjithmonë i gatshëm. Ndaj Estonisë ishte pjesë e mbrojtjes me katër, duke bërë një punë shumë të mirë. Solid, dhe pse jo spektakolar. Ka luajtur 695 minuta të mira në këto 10 ndeshje.
NIKLAS ZYLE – Ashtu si te Bajerni, paraqitjet me kombëtaren kanë qenë dinjitoze. Tetë ndeshje të luajtura për 90 minuta e bëjnë atë numrin një në botë. Si shpërblim shënoi edhe një gol ndaj Rusisë, i pari për të.
NIKO SHULC – Ishte nervoz kundër Perusë, por me kalimin e kohës u përshtat me presionin që të fal kjo fanellë. Teknikisht dhe fizikisht ka treguar një klas të lartë. Në 516 minuta të luajtura, kulmi ishte goli i shënuar në fund ndaj Holandës në fitoren 3- 2. Për momentin, mbrojtësi i majtë më i mirë në Gjermani.
JOSHUA KIMISH – Zotëria 100%. Pas dëmtimit është rikthyer më i fortë se kurrë duke qenë lojtari më konstant në fushën e lojës. Ka qenë në të 10-ta ndeshjet nga minuta e parë deri në të fundit në fushën e lojës. I shërben skuadrës me pasime të zgjuara dhe pozicionim të sigurt. Dyluftimet janë një art më vete.
LEROI SANE – Lënia jashtë në Botëror solli një moment konfuzioni në ndeshjet e para. Falë driblimeve dhe shpejtësisë së tij është shndërruar në një nga lojtarët më të mirë në skuadër. Në 632 minuta ka shënuar 5 gola për kombëtaren e tij.
SERGE GNABRI- U rikthye në gusht pas dy vitesh mungesë dhe si!! Bavarezi luajti vetëm gjashtë ndeshje nga minuta e parë duke shënuar 4 gola. I shpejtë dhe finalizues i mirë, kjo është ajo që u ka munguar “Pancerave” për një kohë të gjatë. Gnabri do të jetë pa dyshim një lojtar formacioni edhe në të ardhmen nëse vazhdon me këtë ritëm.
ANTONIO RYDIGER – Pas operacionit në gju, iu desh të qëndronte pushim. Por, në 375 minuta të luajtura me fanellën e Gjermanisë, ka treguar se është i dobishëm, edhe pse për momentin qëndron pas Ginter dhe Zyles.
TILO KEHER – Nisi lojën nga minuta e parë një herë nga gjashtë ndeshjet e luajtura për gjermanët në fitoren 2-1 ndaj Perusë. Në Paris është rritur shumë dhe kjo i ka shërbyer për të qenë një nivel me shokët e tjerë të skuadrës. Ndonëse, duhet të përballet me konkurrencën e lartë.
TONI KROS – Nga Botërori ka ngelur vetëm Nojer dhe Ginter së bashku me mesfushorin e Realit, me të cilin bëri një sezon po aq të dobët. Por Lëv beson tek ai në ndeshjet e mëdha. Konkurrenca me Gyndoan dhe Goreckën pritet ta zgjojë nga gjumi.
LEON GORECKA – Luajti një sezon midis fushës dhe bankinës, duke luajtur kështu vetëm 292 minuta ose më saktë në vetëm 7 ndeshje. Por, në ndeshjen e fundit tregoi se trajneri do ta ketë të vështirë ta lërë atë jashtë formacionit të parë në ndeshjet e ardhshme.