Goce Sedloski duket se është i kënaqur me pikët që ka marrë në këto dy ndeshje të para me Vllazninë. Trajneri i kuqebluve theksoi pas barazimit të sotëm ndaj Kukësit se e shihte këtë si rezultatin e drejtë të sfidës.
“Ishte shumë ndeshje e fortë. E dinim që do të ishin shumë agresivë në fushën e tyre. Kemi pasur dy mungesa në krahë, kur e shohim ndeshjen e analizojmë dhe e shohim që rezultati është real. Kishim edhe ne situata, por edhe Kukësi. Kur bëj analizën dhe shoh që në dy ndeshje kemi marrë katër pikë, duhet të korrigjojmë gabimet tona që kemi bërë. Dhe e dimë që për një javë do vijë Tirana që është e para në klasifikim. Duhet të jemi të përqendruar dhe të kemi vëmendjen te ndeshja e radhës. Po përsëri jam i lumtur me ekipin se dhanë gjithçka dhe nuk është e lehtë dhe do i marrim gjërat ndeshje për ndeshje.
Ne shohim punë tonë, normalisht që nuk është e lehtë se edhe periudha është e shkurtër e duhet pak kohë. Por me çfarë kam parë, kampionati është shumë i fortë, çdo ekip mundet të marrë pikë dhe mendoj se do të jetë garë interesante deri në fund. Të gjitha ekipet janë pretendente për Europë.
Normalisht nuk ka qenë shumë e lehtë, Kukësi ka qenë agresiv dhe kemi gabuar shumë. E kam parë Kukësin edhe me Tiranën që ka luajtur shumë mirë, kanë pasur shumë shanse. Por nuk mund të presim që në të gjithë ndeshjet të luajmë njëlloj, ndryshon ndeshja nga ndeshja.