Një nga autorët e tre golave të fitores për Vllazninë U-21 në ndeshjen e sotme me Teutën ishte pikërisht kapiteni i shkodranëve, Egzon Shimaj. Në fakt, për 20-vjeçarin ishte një kënaqësi e dyfishtë, pasi shënoi dy gola, por kishte edhe shiritin e kapitenit në krah.

Në intervistën pas ndeshjes, Shimaj u shpreh i gëzuar për këtë fitore dhe për golat nga ana e tij, por njëkohësisht ka folur edhe për të ardhmen e Vllaznia U-21. Kapiteni shkodran tha se të gjithë futbollistët mundohen të japin më të mirën në fushën e lojës, ndërsa theksoi se në fakt për të është e vështirë të luajë në pozicione të ndryshme të fushës.

“Po mundohem të jap më të mirën gjithmonë në fushë, si mbrojtës i djathtë dhe si mesfushor. Bëjmë atë që na kërkon trajneri Plori dhe japim më të mirën.

Për mua, është e vështirë të luaj në pozicione të ndryshme në fushë, por për ekipin duhet të bëjmë më të mirën. Kështu që, gjithmonë kur luaj në fushë jap maksimumin tim.

Synimi im është që të luaj me ekipin e parë, por minutat po më mungojnë në ekipin e parë. Kështu që, duhet të luaj te U-21 dhe këtu po jap më të mirën që të arrij sa më lart.

Shiriti i kapitenit është një motiv më tepër për mua, por gjithsesi e njëjta gjë për mua. Unë do jap gjithmonë më të mirën. Vllaznia është një emër i madh dhe gjithmonë pretendon për tituj kampion dhe për Kupa”,-mbylli prononcimin e tij, kapiteni i Vllaznia U-21, Egzon Shimaj.
Maringlen ZHIVANI