Edi Martini ka folur pas fitores 1-0 në transfertë kundër Egnatias. Në prononcimin e zakonshëm pas sfidës, trajneri i Teutës u shpreh i kënaqur me 3 pikët dhe analizoi shkurtimisht takimin.
Ai tregoi problemin e ekipit të tij me Tiranën si dhe zbuloi se si kishte punuar me skuadrën përgjatë gjithë javës. Në fjalën e tij për Supersport, Martini u shpreh:
“Normalisht ishte ndeshje shumë e rëndësishme për ne, pas humbjes me Tiranën. Situata s’ka qenë e mirë. Kemi folur me lojtarët për t’u kthyer shpejt. Ishin shumë të rëndësishme pikët, ndoshta jo me një lojë të mirë. Ishim cinikë dhe atë që treguam gjithë javën, e morëm. Këto ndeshje, ku është i rëndësishëm aspekti psikologjik. Ishim të pasigurtë në veprimet tona. I kushtuam kujdes fazës mbrojtëse. Jemi rritur, kemi fituar siguri me këtë sfidë sepse është rrugë e gjatë.
Tensioni? Ne kemi biseduar. Egnatia është ekip simpatik. Luan mirë me topin. Na krijoi vështirësi. Pjesa e parë ishte më e kujdesshme nga ana jonë. S’ishim konkretë, na mungoi pasi i fundit në pjesën e parë. Nuk duhej të pësonim gol, kjo ishte e rëndësishme. Qarkulluam topin dhe e kishim lojën nën kontroll. Pas pjesës së parë ndryshuam diçka dhe ia arritëm.
Rivalët? Në ndeshjen me Tiranën kemi bërë gabime elementare. Nuk them që e kishim nënvlerësuar Tiranën. Ishte një ditë që thoshte jo dhe më pas lidhen këto probleme.
Ndeshjet në shtëpi? Është shumë e rëndësishme të kthehemi në stadiumin tonë. Është e vështirë që çdo ndeshje të luhet jashtë. Kur ke tifozët afër është më plus. Ajo që kemi treguar në lojë s’ka bërë ndonjë diferencë të madhe. Shpresojmë që në muajin nëntor fusha të jetë gati dhe të kthehemi pranë tifozëve tanë”, përfundoi ai./newsport/