Dy ditë më parë, në përballjen e Vllaznia-Shkëndija e Tiranës për U-19, takim ky i luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës, ekipi mik fitoi me rezultatin 0 me 1. Një fitore që krahas të tjerëve, meritë ka edhe kapiteni i kësaj skuadre, Enis Çokaj.

18 vjeçari nga Kopliku i Malësisë së Madhe  përpara se shkonte me studime në shkollën e mjeshtrisë sportive “Loro Boriçi” në Tiranë duke u bërë pjesë e ekipit Shkëndija, ka qënë pjesë e Akademisë Vllaznisë, fillimisht me trajner Astrit Prençin e më pas ka kaluar në ekipin e drejtuar nga trajneri Gjon Kola, ndërkohë që ka luajtur për pak kohë edhe për Akademinë AAS. Tifozët e pranishën në ndeshjen ndaj Vllaznisë U-19, kanë evidentuar vlerat e lojtarit me numër 4 të ekipit kundërshtar. Luante si mesfushor qendre, kishte një vizion të shkëlqyer loje dhe jo më kot trajneri Luan Zmijani është parë shpeshherë të kërkojë nga lojtarët e tij të markojnë këtë futbollist. Shumëpak kush e dinte që ai ishte nga Kopliku megjithatë pas ndeshjes, në një intervistë për TV1 Channel, Enis Çokaj do të shprehte dëshirën e tij të madhe që në të ardhmen të luante për Vllazninë. “ëndërra ime e madhe padyshim që është të rikthehem në Shkodër e të luaj për Vllazninë sepse është një emër i madh i futbollit shqiptar dhe do ta kisha për krenari të vishja fanellën e saj. Megjithatë kam edhe një vit shkollë në Tiranë dhe pasi ta kem përfunduar atë, do të vendos për të ardhmen time”- është shprehur ai. Për Enisin, fitorja e kësaj ndeshjeje si mbajtës i shiritit të kapitenit të Shkëndisë së Tiranes bëhet edhe më emocionuese kur në tribunën e stadiumit ishte e pranishme familja  e tij. Krahas kontributit si kapiten i Shkëndisë, djaloshi  nga Kopliku është pjesë edhe e kombëtares së Shqipërisë U-19 më ëndrra dhe objektiva për te ecur edhe më lart në karrieren sportive.

© shkodrasport.com