Kombëtarja U17 e Shqipërisë do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me Malin e Zi, pikërisht më datë 25 shtator në Podgoricë dhe më pas më 28 shtator në Shkodër. Në lidhje me këto dy ndeshje miqësore, trajneri Armand Dama ka publikuar sot edhe listën e lojtarëve të grumbulluar për këto dy ndeshje.
Në listën prej 21 lojtarësh të grumbulluar, bëjnë pjesë edhe 3 futbollistë të Akademisë Vllaznia dhe pikërisht portieri Rei Shpuza, mesfushori Heldi Kopliku dhe sulmuesi Sebastian Gjeka.
Megjithatë te Vllaznia nuk janë aspak të kënaqur me lënien jashtë të dy lojtarëve të tjerë që po spikasin dhe nuk e kanë marrrë një ftesë për këto miqësore. Në lidhje me këtë temë, ka reaguar për Gazeta “Shkodra Sport” drejtori i Akademisë Alban Neziri që është shprehur:
“Më bën shumë përshtypje lënia jashtë listës së kombëtares U17 për këto dy ndeshje, e dy futbollistëve të Vllaznisë, mbrojtësit Nikolas Gjoni dhe sulmuesit Daniel Marku. I pari, një lojtar i cili u zgjodh në formacionin më të mirë të kampionatit sezonin e kaluar, 1.90 metra i gjatë dhe me të gjitha të dhënat për t’u bërë një futbollist cilësor në të ardhmen. “Faji” i tij i vetëm ndoshta është ngaqë nuk ka familjen dhe njërëzit e tij më të dashur pranë për ta mbështetur në këtë rrugëtim të tij.
Tjetri, Daniel Marku, është golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar U16, e po ashtu edhe këtë kampionat e ka nisur ashtu si duhet duke shënuar 3 gola që në ndeshjen e parë. Ka të gjitha të dhënat e duhura për të qenë një goleador i vërtetë. Atëherë çfarë i duhet të bëjë më shumë për të marrë një ftesë në kombëtare?
Me siguri që stafi i ekipit kombëtar duhet të hedhë sytë më shumë drejt këtyre lojtarëvev sepse e meritojnë ta veshin fanellën kuqezi”.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”



