FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVetëm një humbje në 20 ndeshjet e fundit, Vllaznia “dominon” Teutën

Vetëm një humbje në 20 ndeshjet e fundit, Vllaznia “dominon” Teutën

Shkruar nga Endri ÇINARI

Statistikat e përballjeve të fundit mes Vllaznisë dhe Teutës flasin qartë në favor të shkodranëve. Në 20 duelet e fundit mes dy skuadrave, kuqeblutë kanë regjistruar 11 fitore, ndërsa 8 ndeshje janë mbyllur në barazim. Teuta ka mundur të marrë vetëm një fitore në këtë seri.

Një dominim i tillë është një tregues pozitiv për Vllazninë përpara sfidës së së premtes në “Loro Boriçi”. Në total, vetëm një humbje në 20 ndeshje tregon qartë se Teuta ka hasur vështirësi të mëdha në përballjet e viteve të fundit me skuadrën shkodrane.

E vetmja fitore e durrsakëve në këtë periudhë erdhi pikërisht sezonin e kaluar, në Shkodër, kur Teuta triumfoi me rezultatin 0-1. Ky rezultat ndërpreu një seri të gjatë të Vllaznisë pa humbje ndaj ekipit durrsak në kampionat.

Në anën tjetër, kuqeblutë kanë regjistruar disa fitore të rëndësishme në këtë periudhë, si 4-0 në dhjetor 2022, 2-0 dhe 2-1 në sezonin 2023-24, ndërsa në edicionin e kaluar morën dy fitore të tjera, përfshirë suksesin 1-0 në “Loro Boriçi”.

Por përtej statistikave historike, Vllaznia ka nevojë që ky trend të shërbejë edhe në fushën e lojës. Shkodranët vijnë në këtë përballje pas katër javësh të para pa fitore dhe me presionin për të reaguar sa më shpejt, ndërsa Teuta mbetet një kundërshtar që në vitet e fundit ka dhënë duele të forta, pavarësisht bilancit të përgjithshëm.

Kështu, 11 fitore, 8 barazime dhe vetëm 1 humbje në 20 përballjet e fundit janë shifra që ngrohin kampin kuqeblu përpara sfidës së së premtes. Megjithatë, historia nuk luan ndeshjen dhe Martini kërkon që skuadra ta kthejë këtë avantazh statistikor në një fitore të re, pikërisht në momentin kur Vllaznia ka më shumë nevojë për të.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments