FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORESot kundër Teutës, ja si pritet formacioni i Vllaznisë

Sot kundër Teutës, ja si pritet formacioni i Vllaznisë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Teutës, që do të luhet ditën e premte në stadiumin “Loro Boriçi”. Në kampin kuqeblu objektivi është i qartë: rikthimi te fitorja, pas një starti të vështirë të kampionatit, ku shkodranët ende nuk kanë arritur të marrin tri pikët.

Në portë pritet të jetë sërish Avram, i cili ka qenë zgjedhja fikse e trajnerit Edi Martini që nga starti i këtij edicioni. Përpara tij, reparti i mbrojtjes pritet të ruajë në pjesën më të madhe strukturën e ndeshjeve të fundit, ndërsa dilema kryesore e stafit teknik lidhet me një prej vendeve në prapavijë.

Konkretisht, Martini duket se ka një zgjedhje për të bërë mes Pusit dhe Dulysse-s. Haitiani shihet me një avantazh të lehtë për të nisur nga minuta e parë, por vendimi përfundimtar pritet të merret vetëm pas seancave të fundit stërvitore. Ndërkohë, Gurishta dhe Dumfur të jenë dy nga titullarët e repartit të prapavijës.

Në mesfushë pritet të ketë edhe një rikthim. Bardhi mund të marrë sërish një vend në formacionin titullar, duke iu bashkuar pjesës tjetër të repartit ku pritet të jenë Musta, Dros, Qato dhe Murataj. Gjithsesi, kjo është një nga zonat ku Martini mund të bëjë ndryshime të minutës së fundit, duke mos përjashtuar edhe ndonjë surprizë në formacion.

Në repartin ofensiv, dyshja Balaj-Bizi shihet si alternativa më e mundshme për të udhëhequr sulmin kuqeblu. Të dy pritet të kenë detyrën për të kthyer Vllazninë te goli dhe, mbi të gjitha, te fitorja, në një moment kur skuadra ka nevojë për një reagim të menjëhershëm.

Kështu, përballë Teutës, Martini duket se ka ende disa pikëpyetje për të zgjidhur, por formacioni bazë po merr gjithnjë e më shumë formë. Për shkodranët kjo përballje është një mundësi për të kthyer faqe pas katër javësh pa fitore dhe për të marrë një rezultat që do t’i jepte skuadrës qetësinë e munguar në javët e para të sezonit.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments