Shkuar nga Gjergj KOLA
Atletika shkodran vazhdon dominimin e saj në pistat shqiptare dhe titujt kampion shtohen çdo vit. Por e gjithë kjo ecurie e sukseshme e ka një pikënisje: Fillimin e viteve ’80 kur në krye të saj u vendos Gëzim Mema. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 80 vjetorit të lindjes dhe ky është një moment i mirë për ta rikthyer atë sërish në vëmendjen e sportdashësve shkodranë dhe jo vetëm.
Gëzim Mema ka lindur në Shkodër më 17 shtator 1946 dhe që në rininë e tij do t’i përkushtohej sportit të atletikës, përveçse do të punonte për vite me radhë edhe si mësues. Karriera e tij si sportist nuk ka qenë në nivele të larta, megjithatë shkëlqimin e tij të madh do ta kishte në rolin e trajnerit.
Është emëruar kryetrajner i atletikës në Klubin Vllaznia në vitin 1981, në një periudhë të vështirë për këtë sport në Shkodër, ku gjen në ekip vetëm 4 sportistë dhe në vendin e fundit në kampionat. Brenda një kohe të shkurtër ka arritur të ketë në pistë plot 150 vajza dhe 250 djem, të cilët stërviteshin nga 25 trajnerë.
Si rrjedhojë, do të vinin edhe sukseset e njëpasnjëshme. Gëzim Mema ka mbajtur për 23 vite detyrën e kryetrajnerit të atletikës, ku më pas kanë ardhur edhe shumë tituj kampionë, Kupa Republike e trofe të tjerë të fituar nga ekipi i Vllaznisë, që filloi dominimin në atletikën shkodrane, dominim që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Ndërkohë, më pas ka mbajtur edhe detyrën e shefit të Zyrës së Sportit në Bashkinë Shkodër, ndërsa nga viti 2000 dhe deri më 2013 ka qenë drejtor i Sportklub Vllaznia. Sukseset edhe në këtë detyrë kanë qenë të shumta, derisa ky klub, për disa vite rresht, është vlerësuar si më i miri në Shqipëri.
Për kontributin e tij të madh si trajner, Bashkia Shkodër, vitin e kaluar, me rastin e festimeve të 100-vjetorit të SK Vllaznia, e shpalli atë “Trajner të Shekullit”.
Gëzim Mema u nda nga jeta më 23 qershor të vitit 2020 në moshën 73 vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


