Shkruar nga Endri ÇINARI
Barazimi 2-2 në shtëpi ndaj Skënderbeut ka lënë një shije të hidhur te Vllaznia, sidomos për mënyrën se si erdhi rezultati. Kuqeblutë shpërdoruan një avantazh prej dy golash dhe nuk arritën të merrnin tri pikët në debutimin e tyre në kampionat, duke e bërë edhe më të madh dëshirën për reagim në javën e dytë.
Tashmë vëmendja është zhvendosur te transferta ndaj Elbasanit, një prej provave më të forta që i pret shkodranët në këtë fillim sezoni. Përballë një kundërshtari të fortë dhe në një fushë ku çdo pikë ka vlerë të veçantë, Vllaznia kërkon të tregojë se ka forcën dhe karakterin për të reaguar.
Në kampin kuqeblu motivimi është i madh për të lënë pas zhgënjimin e ndeshjes së parë dhe për të marrë një rezultat pozitiv. Një sukses apo edhe një paraqitje bindëse në Elbasan do të shërbente si përgjigjja më e mirë pas gabimeve të bëra ndaj Skënderbeut.
Shkodranët janë të vetëdijshëm se kampionati sapo ka nisur, por një rezultat pozitiv në këtë transfertë do të kishte një peshë të rëndësishme, jo vetëm në aspektin e pikëve. Vllaznia kërkon të reagojë, të tregojë forcën e saj dhe të japë sinjalin se është gati të përballet me çdo sfidë të këtij sezoni.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


