Javier Zanetti, Esteban Cambiasso dhe Javier Pastore kanë dalë publikisht në mbështetje të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke firmosur një letër të përbashkët në prag të zhvillimeve të ardhshme zgjedhore në institucionin më të lartë të futbollit botëror.
Tre ish-lojtarët e Kombëtares së Argjentinës kanë vlerësuar punën e bërë nga Infantino gjatë dekadës së fundit, duke theksuar veçanërisht përfshirjen më të madhe të futbollistëve dhe ish-futbollistëve në vendimmarrjen dhe projektet e FIFA-s.
“Gjatë 10 viteve të fundit kemi parë angazhimin e FIFA-s dhe Gianni Infantinos për të garantuar që futbollistët të përfaqësohen në botën e futbollit, diçka që më parë nuk ekzistonte”, thuhet në letrën e publikuar në rrjetet sociale.
Në të theksohet se futbollistët dhe ish-futbollistët, përmes pjesëmarrjes në komitete, projekte dhe grupe pune, tashmë kanë një zë dhe rol real në sport.
“Opinionet tona dëgjohen dhe shumë iniciativa në të mirë të futbollit janë rezultat i drejtpërdrejtë i kontributit, ideve, planifikimit dhe pjesëmarrjes sonë aktive”, vijon letra.
Tre ish-futbollistët argumentojnë gjithashtu se e kanë parë nga afër mënyrën se si futbolli ndryshon jetën e njerëzve, përmirëson shoqëritë dhe krijon mundësi të reja në mbarë botën. Për këtë arsye, ata shprehen se do të vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e sportit gjatë viteve të ardhshme.
Dalja në krah të Infantinos vjen në një periudhë delikate për drejtimin e FIFA-s. Presidenti zviceran është përballur me kritika lidhur me disa prej projekteve të tij, përfshirë idenë për financimin e Botërorëve përmes fondeve private, ndërsa disa drejtues kanë dhënë dorëheqjen.
Në ditët e fundit, figura të tjera të njohura të futbollit si Juan Sebastián Verón, Robert Pirès dhe Mikaël Silvestre kanë kritikuar hapur Infantinon. Në këtë situatë, mbështetja e Zanettit, Cambiassos dhe Pastores përbën një përforcim të rëndësishëm për presidentin e FIFA-s.
Zanetti mban prej vitit të kaluar dhe deri në vitin 2029 postin e zëvendëspresidentit të Komitetit të Përgjegjësisë Sociale të FIFA-s, ndërsa Cambiasso është pjesë e Grupit të Studimit Teknik të organizatës. Pastore, ndonëse nuk ka një rol zyrtar në FIFA, ka zgjedhur ta publikojë dhe ta mbështesë të plotë letrën e përbashkët.


