Shkruar nga Endri ÇINARI
Situata e Rijad Kobiljar duket se ka sjellë një tjetër zhvillim në merkaton e Vllaznisë. Mesfushori boshnjak, i ardhur vetëm gjatë kësaj vere te kuqeblutë, është pranë largimit drejt Bahreinit, ndërsa mes klubit dhe futbollistit duket se ka një marrëveshje për ndarjen e rrugëve brenda këtij afati kalimtar. Një situatë e pazakontë, duke parë se aventura e tij në Shkodër mund të mbyllet vetëm pak javë pas nisjes.
Megjithatë, largimi i mundshëm i Kobiljarit nuk duket se do ta shtyjë Vllazninë drejt merkatos për të afruar një tjetër mesfushor. Në kampin shkodran besohet se organika aktuale ofron mjaftueshëm alternativa për të përballuar pjesën e parë të kampionatit, të paktën deri në hapjen e merkatos së janarit.
Edi Martini ka në dispozicion emra si Dros dhe Qato, ndërsa një rol më të rëndësishëm në këtë repart pritet të marrë Adnard Mehmeti. Ky i fundit mund të jetë pikërisht një nga alternativat kryesore për të zëvendësuar boshllëkun që mund të lërë Kobiljari, duke marrë më shumë minuta dhe përgjegjësi në mesfushën kuqeblu.
Por alternativat nuk mungojnë as përtej tyre. Tafili dhe Marku janë gjithashtu lojtarë që presin shansin e tyre dhe mund të përdoren në qendër të mesfushës, në varësi të nevojave dhe zgjedhjeve taktike të stafit teknik. Një repart me disa opsione, që për momentin duket se i jep Martinit mundësinë për të mos ndërhyrë menjëherë në treg.
Një tjetër zgjidhje mund të jetë edhe Don Murataj. Numri 11-të u aktivizua në ndeshjen e parë të kampionatit në dyshen sulmuese përkrah Bekim Balajt, por rikthimi në formën optimale i Tounkara dhe Perez mund të ndryshojë pozicionimin e tij në fushë. Në këtë rast, Murataj mund të tërhiqet më pas në mesfushë, duke vepruar si fantazist dhe duke shtuar cilësinë në fazën krijuese.
Kështu, nëse Kobiljar do të largohet përfundimisht, Vllaznia duket se i ka tashmë alternativat e gatshme brenda organikës. Dros, Qato, Mehmeti, Tafili, Marku dhe Murataj formojnë një grup prej gjashtë lojtarësh që mund të japin kontribut në mesfushë, ndaj për momentin një afrim i ri në këtë repart nuk duket të jetë në planet e kuqebluve.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


