Shkruar nga Gjergj KOLA
Sassuolo do të presë sot në ora 18:30 në fushën e saj ekipin e Fiorentinës, në kuadrin e ndeshjeve të javës së 10-të të Seria A. Një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy ekipet, për vetë pozitat e vështira ku ato ndodhen në renditje.
Ndërkohë një lajm pozitiv në këtë pragndeshje është grumbullimi me ekipin e parë edhe i sulmuesit shkodran Gabriel Kulla. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se trajneri Aquilani e ka përfshirë në planet e tij për këtë takim shumë të rëndësishëm për skuadrën që drejton.
Dhe në fakt Kulla e meriton sepse ai po paraqitet shumë mirë në kampionatin U20 ku luan rregullisht dhe deri tani ka arritur të shënojë edhe 6 gola, të fundit e shënoi në sfidën e së shtunës ndaj Lacios.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare pavarësisht se luan në kampionatin “Primavera” (U20), stërvitet rregullisht çdo ditë me ekipin e parë dhe trajneri Aquilani ia njeh tashmë mirë vlerat. Për më tepër që Gabriel Kulla ka debutuar tashmë në Seria A me Sassuolon, pikërisht më 23 gusht kur luajti disa minuta në ndeshjen me Atalantën.
Nuk përjashtohet mundësia që nëse gjërat shkojnë ashtu si duhet, stafi teknik i Sassuolos t’i besojë edhe sot disa minuta në fushën e lojës dhe kjo padyshim që do të ishte shpërblimi i duhur për formën shumë të mirë që futbollisti shkodran po tregon.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


