FAQJA E PARE KRYESOREVllaznia nxjerr tre kampionë në kampionatet U15 dhe U17. Shkodranët renditen të...

Vllaznia nxjerr tre kampionë në kampionatet U15 dhe U17. Shkodranët renditen të tretët në klasifikimin ekipor

Shkruar nga Gjergj KOLA

Tjetër paraqitje e mirë e mundësve shkodranë edhe në aktivitetin e rradhës ku ata kanë marrë pjesë. Bëhet fjalë për kampionatin kombëtar U15 dhe U17 që u zhvillua ditën e shtunë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.

Në kategorinë U15, figurën më të mirë e ka bërë sportisti Jasin Cekaj i cili duke konkurruar në peshën -85 kg ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampion kombëtar. Po për këtë grupmoshë, sportisti tjetër Unejs Hafizi ka konkurruar në peshën -68 kg dhe është renditur në vendin e tretë.

Ndërkohë në kategorinë U17 kemi dy sportistë që janë shpallur kampionë në peshat e tyre. Kështu, në atë -65 kg mundësi Eglis Mhillaj ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampion kombëtar për këtë peshë. Ndërsa në peshën -92 Enes Anza po ashtu është shpallur kampion dhe njëkohësisht ka marrë edhe kupën si sportisti më i mirë i kampionatit.

Po në peshën -92 Alvaro Malaj është renditur i katërti, ndërsa në podium është ngjitur edhe Everes Nika i cili në peshën 110 kg ka zënë vendin e tretë.

Si rrjedhojë e këtyre arritjeve, ekipi i Vllaznisë në fund të të gjitha ndeshjeve të kampionatit është renditur në vendin e tretë në garën ekipore. Padyshim që ky është një tjetër tregues se nën drejtimin e trajnerit Altin Anza aty po punohet shumë mirë dhe rezultatet nga gara në garë vijnë gjithnjë duke u rritur.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments