Ka do gjana në jetë që nuk i harron kurrë, jo se t’i ka thanë kush, por sepse t’i ka mësue vetë jeta. Për mu, dy prej tyne janë sporti e arsimi.
Sporti më ka rritë me djersë, me mund, me fitore e me humbje. Më ka mësue se kur bjen, nuk duhet me ndejt në tokë, por duhet me u çue e me vazhdue.
Më ka mësue me respektue tjetrin, me shkue mirë me shokët e skuadrës e me kundërshtarët, me e pranue humbjen pa e ulë kryet dhe me e pritë fitoren pa e çue zanin. Në fund të fundit, fusha asht një prej shkollave ma të mëdha të jetës, se aty më ka rritë sporti.
E mandej, mas sportit, vjen arsimi.
Arsimi që ta hap mendjen, ta zbut fjalën, ta shton durimin e të ban me kuptue se sa ma shumë ke me mësue, aq ma shumë ke me kuptue se ke prapë rrugë për me ba.
Arsimi më plotësoi.
Sot, kur i shoh këto dy rrugë bashkë, më duket sikur gjithçka ka pasë një kuptim. Sporti më ka mësue me ecë para, ndërsa arsimi më ka mësue rrugën kah duhet me ecë.
Njani më ka forcue trupin e karakterin, tjetri më ka ndriçue mendjen e shpirtin.
Ndoshta kjo asht bukuria ma e madhe: me marrë diçka prej sportit, me marrë diçka prej arsimit dhe me i lanë diçka brezave që vijnë mas nesh.
Në jetë nuk asht puna veç me mbërritë vetë, por ma e bukura asht kur, rrugës, i jep dorën dikujt tjetër me mbërritë edhe ai.
E kështu, pa shumë zhurmë e pa shumë fjalë: sporti më rriti, arsimi më plotësoi dhe nga jeta vazhdoj me mësue.
Ka fitore që s’i shkrun asnjë tabelë rezultati, por i mban njeriu në zemër për tanë jetën.


