FAQJA E PARE FUTBOLLRrëfehet Sylvinho: Shqipëria më ndryshoi jetën, ju tregoj arsyen e largimit

Rrëfehet Sylvinho: Shqipëria më ndryshoi jetën, ju tregoj arsyen e largimit

Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur për eksperiencën e tij trevjeçare e gjysmë në krye të kuqezinjve, duke e cilësuar kualifikimin në Euro 2024 si një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij. Në një intervistë për “Flashscore”, tekniku brazilian ka treguar si arriti të fitojë besimin e futbollistëve shqiptarë, marrëdhënien me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe arsyet e përfundimit të bashkëpunimit në maj të vitit 2026.

Sylvinho kujtoi rrugëtimin e Shqipërisë drejt Kampionatit Europian të vitit 2024, ku kuqezinjtë e mbyllën grupin kualifikues në vendin e parë, përpara Polonisë dhe Çekisë.

“Po, keni të drejtë. Kam punuar në një Kupë Bote me Brazilin, por si ndihmës trajner. Ishte një eksperiencë shumë e mirë, por në Shqipëri i gjithë projekti dhe përgjegjësia ishin të miat. Kualifikimi ishte diçka e veçantë. Humbëm ndaj Polonisë në ndeshjen e parë dhe më pas nuk humbëm më”, u shpreh braziliani.

Sipas tij, Shqipëria ishte një kundërshtar i organizuar dhe i vështirë për t’u përballuar nga ekipet e tjera.

“Ekipet që luanin kundër nesh nuk e kishin aspak të lehtë. Ne ishim shumë të organizuar, luanim mirë dhe e dinim saktësisht se çfarë duhej të bënim në fushë. Pas Kupës së Botës, Kampionati Europian është skena më e madhe e futbollit. Aty dëshiron të jesh”, theksoi ai.

Në Euro 2024, Shqipëria u përball me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë, duke u larguar nga turneu pas fazës së grupeve.

“Përfunduam në një grup shumë të vështirë, me Kroacinë, Spanjën dhe Italinë. Megjithatë, e shijuam eksperiencën. Ndeshjen tonë më të mirë e zhvilluam kundër Kroacisë. Ishte një takim që mendonim se duhej ta fitonim. Kundër Italisë nuk luajtëm aq mirë, ndërsa përballja me Spanjën ishte një eksperiencë e madhe dhe shumë e bukur”, tregoi Sylvinho.

Si arriti të fitojë besimin e futbollistëve shqiptarë?

Një nga sfidat më të mëdha për trajnerin brazilian ishte drejtimi i një kombëtareje në një vend ku nuk fliste gjuhën. Megjithatë, ai shpjegoi se çelësi i suksesit ishte puna e përditshme, përgatitja taktike dhe marrëdhënia njerëzore me lojtarët.

“Futbollistët janë ata që e bëjnë punën të funksionojë. Si trajner, duhet t’u japësh një ide, por ata duhet ta shohin atë të zbatohet në fushë. Nëse u tregon se si të luajnë dhe skuadra krijon raste e shkon pranë golit, atëherë fillojnë të besojnë se ajo ide funksionon”, deklaroi ai.

Sylvinho tregoi gjithashtu se puna e stafit teknik ishte intensive, me ditë që mund të zgjasnin deri në 15-16 orë, veçanërisht në prag të ndeshjeve.

“Kur lojtarët shohin punën që bëhet në prapaskenë, analizat dhe detajet, fillojnë të kuptojnë më mirë idetë tona. Kjo ishte shumë e rëndësishme për ne”, tha ish-trajneri i Shqipërisë.

Ai vlerësoi edhe bashkëpunëtorët e tij, Dorivën dhe Pablo Zabaletën, me të cilët ndërtoi një marrëdhënie të fortë profesionale dhe njerëzore me futbollistët dhe njerëzit përreth ekipit.

“Ne mbërritëm në një vend ku nuk e njihnim gjuhën. Fatmirësisht, shumë njerëz flisnin italisht dhe eksperienca ime me Roberto Mancinin te Interi më kishte ndihmuar edhe me gjuhën. Por ka edhe gjëra që na bashkojnë. Jemi latinë, amerikano-jugorë. Na pëlqen kontakti njerëzor, përqafimet, të ulemi së bashku dhe të pimë një kafe të mirë”, u shpreh ai.

Braziliani kujtoi edhe një episod në ambientet e FSHF-së, kur kishte ftuar një punonjës të sigurisë të ulej me të për të pirë kafe.

“Këto gjëra të vogla kanë rëndësi. Ne ishim anëtarët e parë të stafit që jetonim në Tiranë dhe punonim çdo ditë në federatë. Presidenti Armando Duka më thoshte gjithmonë se, nëse federata ishte aty, duhej të jetoja në qytet. Unë isha i lumtur ta bëja këtë. Kur lojtarët më pyesnin nëse ndihesha mirë në Tiranë, u përgjigjesha se isha në shtëpinë time. Nuk isha në Brazil, por jetoja mirë me bashkëshorten time”, tregoi Sylvinho.

Ai e mbylli këtë pjesë të intervistës me një mesazh domethënës: “Marrëdhënia jonë me federatën dhe me Shqipërinë do të jetë e përjetshme.”

Pse përfundoi bashkëpunimi me Shqipërinë?

Sylvinho u largua nga drejtimi i Kombëtares shqiptare në maj të vitit 2026. Sipas tij, ndarja nuk erdhi si pasojë e një konflikti, por sepse të dyja palët menduan se cikli i përbashkët kishte përfunduar.

“Ne kishim folur më parë me presidentin dhe ndienim se ishte fundi i një cikli. Federata ishte rritur shumë, edhe ne ishim rritur shumë dhe erdhi një moment kur të dyja palët menduan se nuk kishte më shumë për të shtuar. Armando Duka është një person shumë inteligjent. Ishte një marrëveshje shumë e mirë mes të dyja palëve dhe ai e njihte punën që kishim bërë çdo ditë, punën tonë të palodhur”, shpjegoi trajneri brazilian.

Ai kujtoi edhe përkushtimin e stafit, duke treguar se puna nuk kufizohej vetëm në ditët e zakonshme të javës.

“Mbaj mend një të shtunë kur presidenti erdhi dhe kërkoi që i gjithë stafi të ishte në federatë. Ne i thamë se nuk punonim të shtunave, por ai kishte disa gjëra për të diskutuar. U ulëm të gjithë rreth një tavoline dhe askush nuk e pati problem të punonte edhe katër orë të tjera. Kështu ishte gjithmonë marrëdhënia jonë”, rrëfeu ai.

Ai zbuloi se Arsenali ishte një prej skuadrave që stafi i Shqipërisë analizonte gjatë përgatitjeve taktike.

“Ne studionim shumë skuadra, përfshirë Anglinë dhe Spanjën. Arsenali ishte një nga referencat tona, sepse kishte shumë elemente që mund t’i merrnim nga mënyra e tyre e lojës. Stili i tyre ishte mjaft i afërt me atë që kërkonim ne”, shpjegoi ai.

Në vlerësimin e Sylvinhos, puna e Artetës duhet parë në tërësi, duke përfshirë jo vetëm trajnerin, por edhe drejtuesit dhe të gjithë strukturën e klubit.

“Kur flasim për Artetën, duhet të shohim të gjithë strukturën: presidentin, drejtorin sportiv, trajnerin, stafin dhe lojtarët. Gjërat funksionojnë në fushë kur të gjithë kuptojnë të njëjtën ide dhe punojnë drejt të njëjtit objektiv”, përfundoi braziliani.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments