Dy ekipet e Akademisë Vllaznia, ato U13 dhe U14 kanë zbritur edhe sot në fushën e lojës duke zhvilluar ndeshjet e rradhës të vlefshme për kampionatet kombëtare të këtyre moshave. Ato kanë luajtur në Laç ndaj ekipeve vendasee dhe i kanë fituar të dy ndeshjet.
Të parët kanë zbritur në fushë ekipet e 14 vjeçarëve të Laçit dhe Vllaznisë. Ky i fundit ka fituar me rezultatin e thellë 5-0 falë një dominimi në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit. Pjesa e parë është mbyllur me shifrat 2-0 për ekipin e drejtuar nga trajneri Malvin Meçarovi, me golat e shënuar nga Eres Golemi dhe Rais Xama.
Në pjesën e dytë epërsia është thelluar edhe më shumë dhe janë shënuar edhe tre gola të tjerë. Njëri prej tyre ka patur për autor futbollistin Xhonatan Elezi ndërsa dy gola janë shënuar nga Ralfi Bashli. Përfundimisht 5-0 për Vllaznia U14.
Ndeshja e 13 vjeçarëve ka nisur më ndryshe. Ka qenë ekipi i Laçit që ka shënuar i pari me anë të Pjetrit, por më pas reagon Vllaznia dhe shënon tre gola njëri pas tjetrit. Dy prej tyre mbajnë firmën e kapitenit Johnny Lleshi e tjetri u shënua nga Doan Prendushi.
Në minutat e fundit të takimit, skuadra shkodrane e drejtuar nga trajnerët Ylad Pirani dhe Florind Bardulla ka shënuar edhe një gol të katërt me autor Rian Tulën dhe pas tij ka shënuar edhe Laçi me Perlekën duke bërë që i gjithë takimi të mbyllej me shifrat 4-2 në favor të Vllaznia U13.
Në këtë mënyrë, këto dy ekipe të Akademisë Vllaznia e kanë nisur në mënyrën e duhur kampionatin duke i fituar të dy ndeshjet e para, megjithatë e rëndësishme është që futbollistët e vegjël të tyre të luajnë bukur futboll.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


