Shkrimi i Prof. Dr. Artan Shytit për projektin “Ekipet Sportive në Shkolla” ngre një çështje që nuk mund të mbyllet me një aktivitet sportiv, me disa fotografi nga palestrat apo me një bilanc ceremonial të një edicioni. Kur bëhet fjalë për qindra miliona e më pas mbi një miliard lekë nga buxheti i shtetit, pyetja nuk është vetëm nëse projekti është zhvilluar, por sa është shpenzuar, për çfarë është shpenzuar, kush e ka administruar, çfarë është blerë, ku ndodhen pajisjet, sa nxënës janë përfshirë realisht dhe cili është rezultati i matshëm i këtij investimi publik.
Kjo nuk është një pyetje kundër sportit shkollor. Përkundrazi. Është pikërisht pyetja që duhet të bëjë çdo qytetar që beson se sporti i fëmijëve duhet të financohet dhe të zhvillohet, por që çdo lek i taksapaguesve duhet të ketë një destinacion të dokumentuar dhe çdo projekt publik duhet të ketë një rezultat të matshëm.
Dokumentet zyrtare tregojnë se projekti nuk mbeti te shuma fillestare prej 250 milionë lekësh. Në dhjetor 2023, Këshilli i Ministrave e çoi financimin në 600 milionë lekë, me 250 milionë nga viti 2022 dhe 350 milionë nga viti 2023.
Në tetor 2024, financimi i parashikuar u rrit në 750 milionë lekë, duke përfshirë edhe 150 milionë lekë nga buxheti i vitit 2024.
Por historia nuk mbaron këtu.
Në korrik 2025, VKM-ja e re përcaktoi 1.058 miliardë lekë për “Ekipet Sportive në Shkolla”, ndërsa parashikoi edhe 200 milionë lekë për projektin dhe aktivitetet në kuadër të ndërkombëtarizimit të sporteve. Brenda shumës 1.058 miliardë lekë u përfshinë 250 milionë nga 2022, 350 milionë nga 2023, 150 milionë nga 2024 dhe 308 milionë nga 2025, nga të cilat 298 milionë për projektin dhe 10 milionë për shahun.
Pra, kemi të bëjmë me një projekt që nisi me 250 milionë lekë, u bë 600 milionë, pastaj 750 milionë, dhe më tej u zgjerua në shifra mbi 1 miliard lekë.
Dhe pikërisht këtu fillon pyetja e madhe: Ku janë rezultatet që justifikojnë këtë rritje të vazhdueshme të financimit?
- Një projekt që nisi me 250 milionë dhe u zgjerua vit pas viti. Vendimi fillestar i Këshillit të Ministrave, nr. 893, datë 27.12.2022, e vendosi projektin në një fond prej 250 milionë lekësh nga buxheti i vitit 2022.
Por projekti u zgjerua, në dhjetor 2023, qeveria përcaktoi financimin në masën 600 milionë lekë: 250 milionë nga 2022 dhe 350 milionë nga 2023.
Në tetor 2024, shuma u rrit në 750 milionë lekë, duke shtuar 150 milionë lekë nga buxheti i vitit 2024.
Në korrik 2025, dokumenti qeveritar flet tashmë për 1.058 miliardë lekë për projektin, plus një fond prej 200 milionë lekësh për projektin dhe aktivitetet e ndërkombëtarizimit të sporteve. Kjo do të thotë se nuk kemi të bëjmë më me një projekt të vogël pilot. Kemi të bëjmë me një program të madh publik financiar, i cili kërkon një nivel po aq të madh transparence.
Dhe sa më shumë para hyjnë në një projekt, aq më të mëdha duhet të jenë edhe dokumentimi, kontrolli dhe matja e rezultateve.
- 2022–2026: kronologjia e parave dhe le t’i lëmë mënjanë deklaratat politike dhe të shohim gjurmën e parave.
Të dhënat e publikuara në sistemin e shpenzimeve të Thesarit tregojnë në :
2022: 250 milionë lekë.
2023: 350 milionë lekë.
2024: 150 milionë lekë dhe më pas një transfertë tjetër prej 200 milionë lekësh.
2025: 308 milionë lekë, sipas transfertës së lidhur me VKM-në e korrikut 2025.
Janar 2026: 280 milionë lekë të tjera, të regjistruara me përshkrimin “Proj Ekipet Sportive në Shkolla”.
Këto janë të dhëna që duhen parë bashkë me VKM-të dhe dokumentet financiare, sepse një fond i miratuar nuk është e njëjta gjë me një fond të ekzekutuar, dhe një transfertë te përfituesi nuk është automatikisht e njëjtë me shpenzimin final.
Pikërisht këtu duhet të fillojë transparenca e vërtetë:
Sa u miratua? Sa u transferua? Sa u shpenzua Sa mbeti? Për çfarë u shpenzua? Kush i mori paratë dhe në bazë të cilave kontrata?
Dhe mbi të gjitha:
Sa nga këto para përfunduan realisht te fëmijët dhe ekipet sportive të shkollave?
- Çfarë u ble me këto para?
Kjo është ndoshta pyetja më e thjeshtë dhe njëkohësisht më e rëndësishme.
Një dokument i prezantuar për buxhetin e projektit për vitin 2023 liston ndër zërat e shpenzimeve:
- atlete volejbolli dhe basketbolli;
- rreth 8 mijë topa volejbolli dhe basketbolli;
- tuta, atlete, bluza, çorape dhe çanta;
- veshje për vullnetarët;
- burime njerëzore;
- logjistikë.
Në parim, këto janë shpenzime të lidhura drejtpërdrejt me një projekt sportiv shkollor, por pyetja investigative është tjetër:
Ku është inventari? Sa palë atlete? Sa topa? Sa uniforma? Sa çanta? Sa shkolla i morën? Sa nxënës përfituan? Kush firmosi marrjen në dorëzim? Ku ndodhen sot këto pajisje? A janë ende në shkolla? A përdoren? A janë zëvendësuar? A janë dëmtuar?
Dhe nëse janë blerë me paratë e shtetit, a ekziston një inventar i plotë që mund të kontrollohet nga Ministria, KOKSH-i, njësitë arsimore dhe, pse jo, nga publiku?
Sepse një faturë blerjeje tregon se një mall është blerë. Nuk tregon automatikisht se ai mall ka përfunduar te fëmija për të cilin u financua projekti.
- Tenderët e anuluar – jo provë faji, por arsye për kontroll
Këtu duhet bërë një dallim shumë i rëndësishëm. Fakti që një procedurë prokurimi është anuluar nuk është provë korrupsioni dhe as provë vjedhjeje.
Por një numër procedurash të përsëritura, të anuluara, të ndryshuara ose të kryera me procedura të ndryshme janë arsye që kontrolli publik të bëhet më i thellë.
Në dokumentet e prokurimeve shfaqen procedura të lidhura me aktivitetet e projektit. Për shembull, në Prrenjas është zhvilluar një procedurë për pjesëmarrjen në ceremoninë përmbyllëse të edicionit të dytë, ndërsa në Kamëz në vitin 2026 figuron një procedurë për transportin e nxënësve të ekipeve sportive. (Open Procurement)
Këto të dhëna nuk provojnë asnjë shkelje. Por tregojnë diçka tjetër:
Projekti nuk është vetëm një transfertë e vetme te KOKSH-i.
Ai gjeneron shpenzime dhe procedura edhe në terren, në bashki dhe institucione të tjera.
Prandaj duhet një hartë e plotë e shpenzimeve:
KOKSH → federatat → bashkitë → shkollat → operatorët ekonomikë → trajnerët → transporti → pajisjet → aktivitetet.
Vetëm kështu mund të kuptohet se ku përfundoi çdo pjesë e fondit.
- Kush kontrolloi KOKSH-in dhe kush kontrolloi projektin?
Kjo është pyetja që nuk mund të anashkalohet.
VKM-të kanë ngarkuar Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe KOKSH-in me zbatimin e projektit. (Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave) Por zbatimi dhe kontrolli nuk janë e njëjta gjë.
Kush e kontrolloi përdorimin e fondeve? Kush verifikoi faturat Kush kontrolloi inventarin?
Kush verifikoi se aktivitetet e deklaruara u zhvilluan? Kush numëroi nxënësit pjesëmarrës?
Kush verifikoi numrin e trajnerëve? Kush kontrolloi pagesat? Kush bëri rakordimin mes parave të transferuara dhe parave të shpenzuara?
Dhe pyetja më e rëndësishme:
A është bërë një auditim i posaçëm i gjithë projektit “Ekipet Sportive në Shkolla” nga fillimi deri në fund?
Raporti i auditimit të KLSH-së për Ministrinë e Financave për vitin 2024 sjell një element veçanërisht të rëndësishëm: dokumenton se në fund të vitit 2024 KOKSH kishte kërkuar financimin e vlerës së mbetur të projektit dhe se 200 milionë lekë u transferuan përmes llogarisë 604, ndërsa gjatë vitit kishte pasur edhe një transfertë tjetër prej 150 milionë lekësh. Raporti ngre gjithashtu çështje mbi mënyrën e alokimit të këtyre fondeve dhe rekomandon masa për të rritur kontrollin dhe transparencën financiare. (KONTROLLI I LARTЁ I SHTETIT)
Ky nuk është një detaj periferik, është pikërisht arsyeja pse projekti kërkon një pasqyrë financiare të plotë dhe të kuptueshme për publikun.
- Raportet që duhen bërë publike
Nëse dokumentet ekzistojnë, nuk ka asnjë arsye që qytetari të mos i shohë, duhet të bëhen publike: - Raporti financiar vjetor i projektit.
- Pasqyra e të gjitha transfertave nga Thesari.
- Lista e kontratave dhe operatorëve ekonomikë.
- Faturat dhe dokumentet e pagesave.
- Inventari i pajisjeve sportive.
- Lista e shkollave përfituese.
- Numri real i nxënësve pjesëmarrës sipas shkollave dhe qarqeve.
- Lista e trajnerëve dhe pagesat përkatëse.
- Raportet e monitorimit.
- Raporti përfundimtar i projektit.
Kjo nuk është kërkesë për spektakël politik, por është transparencë.
Madje vetë VKM-ja parashikon detyrimin për raportim të aktivitetit të projektit, përfshirë raportimin financiar. Në ndryshimet e vitit 2025, afatet e raportimit u përcaktuan deri në gusht 2025 për financimet e përfshira në vendim. (Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave)
Atëherë pyetja është fare e thjeshtë:Ku është raporti?
- Çfarë rezultati pati projekti te fëmijët? Kjo është pjesa që duhet të jetë në qendër të çdo analize.
Jo paratë.Jo ceremonitë. Jo fotografitë, por fëmijët.
Ministria e Arsimit e përshkruan programin si një nismë të zbatuar në shkollat parauniversitare në të gjithë vendin, për moshat 9–18 vjeç, me aktivitete në disiplina si basketbolli dhe volejbolli, për vajza dhe djem. Ministria thotë gjithashtu se është zhvilluar një proces monitorimi me të dhëna nga institucionet arsimore, trajnerët dhe vetë nxënësit përmes pyetësorëve, kjo shumë mirë.
Atëherë le t’i shohim rezultatet. Sa nxënës morën pjesë? Sa prej tyre vazhduan aktivitetin sportiv? Sa ekipe u krijuan? Sa trajnerë u angazhuan? Sa orë stërvitje u zhvilluan? Sa aktivitete dhe ndeshje u organizuan? Sa vajza dhe sa djem morën pjesë? Sa shkolla kishin infrastrukturë të përshtatshme? Sa shkolla morën pajisje? Sa prej tyre vazhduan aktivitetin edhe pas përfundimit të financimit?
Dhe mbi të gjitha:
A ka rritur ky projekt pjesëmarrjen e qëndrueshme të fëmijëve në sport? Sepse nëse një projekt kushton qindra miliona lekë, rezultati nuk mund të matet me numrin e topave të blerë.
Duhet të matet me numrin e fëmijëve që u futën realisht në sport dhe vazhduan të qëndrojnë aty.
- Nëse projekti ka përfunduar, ku është vendimi i mbylljes? Këtu kemi një tjetër pyetje që meriton përgjigje.
Kur përfundon një projekt publik, duhet të dihet:
Kur përfundoi?
Sa ishte kostoja përfundimtare?
Sa u realizua nga fondi?
Sa mbeti pa përdorur?
Çfarë u dorëzua?
Kush e mori në administrim?
Cilat janë asetet e krijuara?
Cili institucion do t’i mirëmbajë?
Nëse projekti vazhdon, duhet të thuhet qartë se vazhdon, nëse ka përfunduar, duhet të ketë një bilanc përfundimtar.
Nëse është transformuar në një program tjetër, duhet të ketë një akt të qartë, sepse paratë publike nuk mund të kenë një fillim të dokumentuar dhe një fund të mjegullt dhe këtu nuk kemi nevojë për interpretime, sepse mjafton dokumenti.
- Nëse projekti mbyllet, ku duhet të shkojnë paratë, nëse nuk jan bastidur, kjo është pyetja më e rëndësishme për të ardhmen.
Nëse financimi i posaçëm i “Ekipeve Sportive në Shkolla” përfundon, paratë e destinuara për sportin e fëmijëve nuk duhet të zhduken nga sporti, përkundrazi, ato duhet të shkojnë aty ku krijojnë kapacitet të qëndrueshëm, tek federatat sportive, te akademitë, tek trajnerët e moshave, te infrastruktura sportive e shkollave, te k pajisjet sportive, tek klubet që kanë programe të mirëfillta për fëmijët, tek përgatitja e trajnerëve, tek garat kombëtare të moshave, tek sporti i vajzave, te programet e identifikimit të talenteve dhe mbi të gjitha te projekte që kanë objektiva, afate dhe indikatorë të matshëm, por QË DUHET TË NDRYSHOJ MENAXHERI. jo hajdutët kokdhtarë.
Nëse një miliard lekë e më shumë janë investuar në sportin shkollor, atëherë duhet të kemi edhe një kapital sportiv që mbetet pas projektit.
Jo vetëm fotografi, jo vetëm aktivitete, jo vetëm raporte, struktura, trajnerë, ekipe.
Por që fëmijë që vazhdojnë të luajnë, palestra që përdoren.
Akademi që prodhojnë sportistë ky do të ishte investimi real.
MILIONAT NUK JANË PROBLEM. PYETJA ËSHTË ÇFARË BLENË MILIONAT.
Është e rëndësishme të mos ngatërrojmë dy gjëra, financimi i sportit të fëmijëve është një investim i dobishëm publik, por pikërisht sepse është investim publik, ai duhet të jetë transparent.
Nuk është problem që qeveria të japë 250 milionë lekë, nuk është problem që më pas të japë 600 milionë as 750 milionë, as mbi një miliard, por problemi fillon vetëm nëse askush nuk mund të tregojë qartë se çfarë u bë me to, dhe këtu dokumentet kanë një rol të pazëvendësueshëm.
Të dhënat e Thesarit tregojnë transfertat, VKM-të tregojnë fondet e miratuara, por prokurimet tregojnë kontratat, dhe raportet tregojnë zbatimin, inventari tregon pajisjet, onitorimi tregon pjesëmarrjen, dhe bilanci përfundimtar duhet të tregojë rezultatin, kur këto pesë hallka lidhen me njëra-tjetrën, transparenca është reale.
Kur mungon njëra prej tyre, lind pyetja. JO “GJUETI SHTRIGASH”, POR LLOGARI PUBLIKE
Ne nuk kërkojmë një gjueti shtrigash, nuk kërkojmë të shpallet fajtor askush pa prova, nuk kërkohet të ndërtohet një akuzë politike mbi një faturë, një tender apo një transfertë.
Kërkohet diçka shumë më e thjeshtë: dokumentet, faturat, kontratat, inventari, raportet, rezultatet dhe përgjegjësia institucionale, nëse çdo gjë është bërë sipas rregullave, dokumentet duhet ta tregojnë.
Nëse çdo lek është përdorur për qëllimin e miratuar, dokumentet duhet ta tregojnë, nëse fëmijët kanë përfituar realisht, statistikat duhet ta tregojnë, nëse projekti ka prodhuar një model të qëndrueshëm të sportit shkollor, rezultatet duhet ta tregojnë.
Dhe nëse ka probleme, ato duhet të dalin në dritë për t’u korrigjuar, jo për t’u fshehur, sepse në fund të fundit, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për KOKSH-in.
Nuk bëhet fjalë vetëm për Ministrinë, nuk bëhet fjalë vetëm për qeverinë, bëhet fjalë për paratë e qytetarëve dhe fëmijët e këtij vendi, dhe kur një projekt publik merr nga buxheti i shtetit qindra miliona lekë, e më pas kalon kufirin e një miliardi, pyetja më normale në një demokraci është edhe më e thjeshta: Çfarë morëm në këmbim?
Nëse përgjigjja është: më shumë fëmijë në sport, më shumë ekipe, më shumë trajnerë, më shumë palestra funksionale dhe më shumë talente të zbuluara, atëherë le ta vazhdojmë, por nëse përgjigjja nuk mund të jepet me dokumente, tabela, inventarë dhe rezultate, atëherë nuk kemi nevojë për slogane.
Kemi nevojë për kontroll dhe kontrolli nuk është armik i sportit, kontrolli është garancia që paratë e sportit të shkojnë te sporti.
Prandaj z. Shyti çoheni deri në fund këtë ptoblem madhor!


