Teuta do të luajë nesër sfidën e javës së dytë të Superligës. Kampionët në fuqi e nisën sezonin me një fitore 1-0 ndaj Partizanit, ndërsa këtë javë do të luajnë në transfertë ndaj Vllaznisë në një tjetër ndeshje delikate.

Sot para mediave në vend të trajnerit Edi Martini, foli zv.trajneri Bledar Hodo i cili u shpreh se Teuta shkon në Shkodër vetëm për 3 pikë. Në fund nuk mungoi as një përgjigje për presidentin e Vllaznisë, Alban Xhaferi.

“Gjendja e skuadrës optimale, normalisht të gjithë çunat janë të karikuar dhe dijnë çfarë presin nga ky kampionat. Tani e nisim sezonin me një status tjetër dhe përgjegjësitë janë më të mëdha, ndërsa objektivat janë të qarta. Do të japim maksimumin dhe shpresoj ta mbyllim me sukses këtë vit.

Favorit ndaj Vllaznisë? “Favorit nuk mund të thoja pasi janë dy nga ekipet më të mira të kampionatit. Bëmë një ndeshje të mirë në Superkupë, por ndeshja nga ndeshja ndryshon. Vlerësim maksimal për kundërshtarin, por ne kemi synim të qartë për të marrë 3 pikë.

Kemi lojtarë me eksperiencë e nuk besoj se do ta nënvlerësojnë. Duke parë atmosferën në Shkodër, lojtarët do të kenë një tjetër motivim. Nuk kam asnjë përgjigje për presidentin e Vllaznisë pasi ndeshje të tilla i ndan karakteri i fortë dhe jo luanët.

Çdo ndeshje kundërshtarët do të na vlerësojmë si skuadra që ka fituar titullin dhe jo si ekipi që pretendon titullin. U bë java e 3-të që afrimet e reja stërviten dhe në ndeshjen e Kupës do të jetë testi real për ata. Shkojmë për 3 pikë në Shkodër, por ndeshja I ka të trija rezultatet”.