Kategoria Superiore ul siparin e javës së 21-të sot me tre sfida interesante.

Në orën 13:45, në stadiumin e qytetit të Laçit do të luhet takimi Laçi-Kukësi.

Skuadra kurbinase e Mirel Josës dëshiron që të ruajë ecurinë e rezultateve pozitive, por edhe të jetë aty në garën për titullin kampion.

Ndërsa verilindorët synojnë tre pikët për të mbajtur ende shpresat gjallë për titullin kampion ku deri tani distanca është në -9 nga kryesuesit e Tiranës.

Në po të njëjtën orë, në stadiumin e qytetit të Kamzës do të zhvillohet dueli Kastrioti-Tirana.

Krutanët kërkojnë me çdo kusht tre pikët për të dalë nga vendi i fundit në tabelën e klasifikimit, ndërsa bardheblutë nga kryeqyteti kërkojnë “arratisjen” në krye.

Në orën 16:45, në stadiumin “Elbasan Arena” do të zhvillohet ndeshja Teuta-Dinamo.

Kampionët aktual të Shqipërisë duan që të dalin nga ky moment negativ me një fitore, ndërsa Dinamo t’i largohet sa më shumë zonës së ftohtë të klasifikimit.