Ka më tepër se një vit që flitet për nisje të punimeve por deri më tani asgjë nuk ka ndodhur. E kemi fjalën për fushën sportive të Bushatit që është në përdorim të FC Basanias. Vitin e kaluar u arrit një marrëveshje në parim në mes FSHF-së dhe Bashkisë Vau Dejës për të bërë këtë investim teksa e para do të merrte përsipër si zakonisht shtrimin e tapetit sintetik, ndërsa e dyta do të kryente punimet nëntokësorë dhe ato të tjerat që duhen para shtrimit të tapetit. Kjo fushë rrjedhojë e kësaj marrëveshje do të vihej në funksionon të ekipit të Basanias, por edhe të Shoqatës Rrajonale të Futbollit Shkodër.
Shpresat ishin që punimet të fillonin në fundin e vitit të kaluar, madje Këshilli Bashkiak Vau Dejës në fund të gushtit të kaluar miratoi projekt- vendimin për miratimin e fondit që duhej për këtë investim. Më pas nuk dihet saktësisht se çfarë saktësisht por punimet nuk filluan.
Ndërkohë në fundin e vitit 2025, në mbledhjen për buxhetin të Këshillit Bashkiak u miratua sërish edhe fondi që duhej për të bërë këtë investim, por deri më tani ende nuk kanë filluar punimet. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se ditët e fundit janë intensifikuar kontaktet në mes Bashkisë Vau Dejës dhe FSHF-së dhe pritet vetëm firmosja e kontratës përfundimtare, për t’i hapur rrugë pastaj nisjes së punimeve.
Në fakt ende nuk është e qartë se pse duhet të zgjasë kaq shumë kjo procedurë, megjithatë e rëndësishme është që ajo të nisë mundësisht muajin e ardhshëm në mënyrë që të përfundojë në vjeshtën e ardhshme. Megjithatë nëse gjërat nuk përshpejtohen, mund të ndodhë sërish e njëjta histori si ajo e vitit të kaluar.
Nga ana tjetër shtyrja e nisjes së punimeve në këtë fushë, ka vënë në pikëpyetje edhe ekzistencën e ekipit të Basanias. Presidenti Ermir Shimaj është shprehur para dy muajsh se në rast se punimet nuk do të nisin, ekipi nuk do të merrte më pjesë në kampionatin e ardhshëm sepse gjendja aktuale që ka fusha është vërtetë alarmante dhe sigurisht që nuk ia vlen më të investojë për këtë ekip, për t’u stërvitur dhe për të luajtur në këto kushte.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


