FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPo shkëlqen tek Vllaznia, Emmanuel Obinna një element i së tashmes e...

Po shkëlqen tek Vllaznia, Emmanuel Obinna një element i së tashmes e të ardhmes

Shkruar nga Endri ÇINARI

Emmanuel Obinna Nwokporo po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë dhe besim te Vllaznia, teksa mesfushori 19-vjeçar ishte një prej protagonistëve kryesorë në fitoren 1-0 ndaj Elbasanit. Paraqitja e tij në “Loro Boriçi” ishte bindëse, duke bërë që në fund të ndeshjes të shpallej edhe lojtari më i mirë i takimit.

Nigeriani po tregon se nga ndeshja në ndeshje po bëhet një element gjithnjë e më i rëndësishëm për skuadrën shkodrane. Energjia, qetësia në lojë dhe mënyra se si interpreton rolin e tij në mesfushë janë disa prej cilësive që kanë rënë në sy, ndërsa paraqitja ndaj Elbasanit ishte një tjetër hap përpara për të.

Për Vllazninë, ky është një sinjal pozitiv edhe në funksion të pjesës së dytë të sezonit. Obinna po kthehet në një alternativë të vlefshme për repartin e mesfushës, duke i dhënë trajnerit më shumë zgjedhje, por njëkohësisht edhe duke krijuar hapësirën që një tjetër talent i ri të afirmohet në ekipin e parë.

19-vjeçari ka ardhur te Vllaznia nga akademia kuqeblu, ndërsa potenciali i tij ishte evidentuar menjëherë nga trajneri Lazslo, i cili e kishte në radar. Tashmë, duket se puna e bërë me mesfushorin afrikan po jep rezultat dhe Obina po nis të tregojë në fushë arsyet përse është konsideruar një element me perspektivë.

Nëse vazhdon në këtë ritëm dhe arrin të ruajë vazhdimësinë, Obinna mund të jetë një aset i rëndësishëm për Vllazninë jo vetëm në sezonin aktual. Për klubin shkodran, zhvillimi i tij mund të ketë edhe një vlerë të konsiderueshme në të ardhmen, duke krijuar mundësinë që një shitje e mundshme e lojtarit të sjellë të ardhura të rëndësishme.

Për momentin, gjithsesi, fokusi është te paraqitjet në fushë. Obinna po fiton minuta, po fiton besimin e stafit dhe po lë gjurmë në ndeshje të rëndësishme. Pas paraqitjes si “Njeriu i Ndeshjes” ndaj Elbasanit, mesfushori 19-vjeçar ka dhënë një tjetër sinjal se Vllaznia mund të ketë në duar një talent që ia vlen të investohet dhe punohet për të.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments