Superylli brazilian Neymar ka pësuar një tjetër goditje në aspektin e lëndimeve te Santos, vetëm disa ditë pasi u përfshi në listën e kombëtares së Brazilit për Kupën e Botës 2026.
Sulmuesi u diagnostikua me një problem në pulpë, duke ngritur menjëherë shqetësime për gatishmërinë e tij për turneun që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut.
Santos ka konfirmuar se Neymar po vuan nga një lëndim i lehtë në pulpë, pasi testet mjekësore zbuluan një edemë 2 milimetra në pulpën e djathtë. Problemi u njoftua të mërkurën nga departamenti mjekësor i klubit.
Koha është larg ideales për 34-vjeçarin, i cili vetëm së fundmi është rikthyer në grumbullimin e Brazilit pas një rikuperimi të gjatë nga dëmtimi i rëndë në gju që pësoi në vitin 2023.
Neymar tashmë ka munguar në përballjen e Santosit në Copa Sudamericana ndaj San Lorenzos dhe pritet të mungojë edhe në ndeshjen e ardhshme të kampionatit kundër Gremios.
Tashmë, sulmuesi është në garë me kohën për t’u rikuperuar para se të paraqitet në grumbullimin e Brazilit më 27 maj. Si Santos, ashtu edhe Federata Braziliane e Futbollit (CBF), po e monitorojnë nga afër progresin e tij.
Rodrigo Zogaib, shefi i ekipit mjekësor të Santosit, këmbënguli se lëndimi nuk konsiderohet serioz dhe shprehu besimin se Neymar do të jetë i gatshëm për Brazilin javën e ardhshme.
“Neymar ka një lëndim të lehtë në pulpë, një edemë. Por, sipas planifikimit tonë, progresi i tij do ta lejojë të jetë i gatshëm javën e ardhshme, kur do t’i bashkohet kombëtares”, deklaroi ai.


