Në futboll të duhet edhe fati dhe Teuta me Edi Martinin ka ndryshuar “fytyrë”, në dy ndeshje delikate, me Partizanin në “Niko Dovana”, por edhe me Flamurtarin në Vlorë. E natyrisht që meritë ka edhe tekniku shkodran që me stilin e tij të punës dhe vendosen në fushë, në dy ndeshje ka marrë më të mirën nga grupi.
Tashmë që faza përgatitore ka hyrë në fazën kulminante, në një prononcim për “Supersport”, trajneri Edi Martini ka folur për situatën e Teutës, merkaton dhe synimet që ka skuadra këtë sezon:
“Normalisht jemi në ngarkesë, të cilën e kemi filluar në datën 3, pas 4 ditësh pushim. Përveç Kuros, që ka probleme në gju, të tjerët janë shumë mirë dhe madje edhe kushtet i kemi shumë të mira. Djemtë po punojnë shumë dhe mirë, gjë që më jep garanci dhe shpresë për të ardhmen”,- tha tekniku shkodran.
Merkato
Edi Martini mendon se në këtë periudhë nuk duhet nxituar dhe Teuta duhet që të bëj kujdes në zgjedhjet duke pasur nevojë për cilësi më shumë se sasi. “Po kërkojmë dhe them se jemi në rrugën e duhur. Kam kërkuar që të mos ngutemi, por të arrijmë të afrojmë lojtarë cilësorë, që të na shërbejnë”, – tha ndër të tjera trajneri Martini.
Synimet
Lidhur me dy ndeshjet që e drejtoi, Martini krijon një konkluzion, madje sipas tij, skuadra mund të guxojë edhe për më tepër, mundësitë i ka në të gjitha aspektet:
“Për ato dy ndeshje jam mjaft i kënaqur, pasi djemtë punuan edhe në stërvitje, por edhe në ndeshje, duke treguar një grintë të jashtëzakonshme. Do të flasim sërish javë pas jave për këtë çështje në lidhje se ku mund të shkojmë deri në fund”, – deklaroi Edi Martini./Vipsport/