Edi Martini është parë ndryshe nga sfida e parë me korçarët, ku skuadra e tij barazoi 1-1 në “Niko Dovana”, duke lënë dy pikë mjaft të rëndësishme në fushën e vet. Martini pas fitores me Tiranën në Pogradec, për “Supersport” ka pohuar:

“Unë e kam thënë edhe më parë se të rëndësishme në ndeshjet e para janë pikët, se pas asaj shkëputje edhe loja nuk do të jetë ritmin e duhur. I qaj me lot pikët e Skënderbeut, por është histori e mbyllur.

Të rëndësishme janë pikët, duke pasur parasysh që kemi Tiranën përballë. Ishte dyfishtë e rëndësishme se luanim kundër kampionëve dhe ishte moral më shumë për ekipin tonë”.

“Një skuadër e kompletuar është ajo që di të vuajë, bëjë presing. Por të rëndësishme janë pikët, Tirana pati shumë pak shanse për gol. Mund të shënonim përsëri por jam i kënaqur me pikët”.

“Me Skënderbeun kishim 4-5 raste, por pastaj në të dytën u nervozuam, kaluam në aventurë, mund të na kushtonte shumë shtrenjtë.”

“Unë që në fillim kam thënë që jemi për kampion, në vetvete kam qenë i bindur që kemi skuadër për titull se të ruash 95% të ekipit dhe të dyfishsoh rolet duke afruar emra si: Bregu e Krasniqi, kemi krijuar një ansambël.

Janë 4-5 skuadra që janë në garë për një gjë të tillë, por unë e them që deri në ditën e fundit të kampionatit do ta pretendojmë me zë të lartë”,-tha Edi Martini, trajneri i skuadrës së Teutës, pas ndeshjes së fituar me Tiranën sot në Pogradec.
/Vipsport/