Si sot një javë, Vllaznia e femrave do të zbresë në fushën e lojës për të zhvilluar ndeshjen gjysmëfinale të Grupit 7 të “UEFA Women’s Champions League” ndaj kampiones kosovare Ep Com Hajvalia. Një sfidë që pritet me shumë interes jo vetëm se përballë do jenë dy ekipe shqiptare, por edhe sepse ky duel do të dhurojë finalisten e dytë të këtij grupi.

Ndërkohë UEFA ka caktuar tashmë edhe arbitret që do ta drejtojnë këtë ndeshje e cila do të luhet të mërkurën e ardhshme duke filluar nga ora 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Arbitre kryesore do të jetë kroatja Jelena Kumer. Po nga ky vend do të jetë edhe asistentja e parë, pikërish Ivona Pejiç. Ndërsa asistentja e dytë dhe arbitrja e katërt do të jenë nga Gjermania, konkretisht Daniela Göttlinger dhe Franziska Wildfeuer.

Trupa e arbitrimit kroato-gjermane në këtë mënyrë do të ketë detyrën për të vendosur drejtësi në këtë përballje e cila pritet të shoqërohet me rivalitet të fortë në mes dy ekipeve shqiptare.

Kujtojmë që çifti tjetër gjysmëfinalist i këtij grupi, ai në mes kampiones islandeze Valur dhe asaj turke ABB Fomget do të luhet po të mërkurën e ardhshme por në orën 10:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Finalja e këtij grupi në mes fitueseve të të dy çifteve do të zhvillohet më 9 shtator në të njëjtin stadium./SHKODRA-SPORT.COM/