Vllaznia do të luajë nesër ndaj Dinamos, një sfidë kjo jo vetëm e rëndësishme për ecurinë e saj në kampionat, por edhe një sfidë karakteri për t’i treguar një tjetër kundërshtari forcën e saj.

Trajneri Edi Martini ndërkohë ka disa dilema për formacionin që do të hedhë në fushë dhe me shumë mundësi nesër do të ketë edhe ndonjë suprizë. Rikuperimet e Kouro, Qatos dhe Muratajt, kanë shtuar forcat në dispozicionin e tij dhe përpos kësaj nuk ka asnjë lojtar të ndëshkuar me kartona.

Në këto rrethana, nuk përjashtohet mundësia që numri 1 i pankinës kuqeblu të bëjë disa lëvizje në formacion. Nuk përjashtohet mundësia që ato të nisin nga porta sepse Pohls ka treguar ndonjë pasiguri në ndeshjen e fundit dhe Jukaj është gati duke pritur momentin e tij.

Po ashtu, edhe mbrojtja mund të ketë ndryshime sepse tashmë edhe Çelikoviç është gati, ndërkohë që me shumë mundësi Qato do të zërë vend në mesfushë përkrah Krymit. Kjo do të thotë se njëri nga lojtarët e repartit ofensiv mund të përfundojë në stol. Gjithsesi këto janë detaje të cilat vetëm Martini i ka në mendje dhe sigurisht është ai që vendos.

Për të e rëndësishme është që skuadra të shprehet si duhet në fushën e lojës dhe “të marrë hak” për atë humbjen 1-3 fazën e parë në Elbasan. Vllaznia ndodhet në vendin e parë të renditjes dhe padyshim që do të synojë ta mbajë sa më gjatë atë, pse jo deri në fund të kampionatit sepse ka treguar që i ka forcat dhe mundësitë.(www.shkodrasport.com)