Ekipi i Vllaznisë ditën e djeshme rinisi përgatitjet për sezonin 2022-23. Kuqeblutë që qëndronin pushim prej dy javësh që pas fitores në kupë kundër Laçit në datën 31 maj, iu rikthyen fushës së blertë.

Kjo edhe për tu përgatitur sa më mirë edhe për garat në kupat e Europës, ku kundërshtari do jetë shumë i fortë për Vllazninë. Në stërvitjen e parë të sezonit, u vunë re disa “fytyra” të reja.

Kështu pas afrimit të mesfushorit, Boshnjaku që u prezantua para pak ditësh, në stërvitje u panë edhe disa nga djemtë e rinj shkodranë. Pas futbollistëve të u-19 si Pjeshka që firmosi para pak muajsh, me grupin u pa edhe Alivoda. Edhe ai pritet që shumë shpejt të nënshkruajë kontratën që do e lidhë me klubin e tij të zemrës.

Por edhe emra si: Paloka, Muliu, Smajli, Shkoza e të tjetë pritet të kenë shansin e tyre për të treguar vlerat. Po ashtu edhe futbollistë të spikatur tek 19-vjeçarët si: Spahija, Qerpiku apo edhe Delaj pavarësisht se ende nuk janë stërvitur me ekipin e parë janë në vëmendjen e klubit. Duke mos përjashtuar këtu as ekipin u-17.

Ku skuadra e 17-vjeçarëve këtë sezon e drejtuar nga Edmond Doçi, bëri dopietë duke fituar kupën dhe kampionatin. Këtë sezon duket se do ketë një vëmendjen më të madhe ndaj elementit të ri, ku drejtuesit duket se do e kenë si objektiv promovimin dhe shitjen e tyre drejt skuadrave të ndryshme në Europë.

Endri ÇINARI