Merkato tashmë po hyn në fazën interesante dhe klubet shqiptare duan që të kompletojnë sa më shpejt skuadrën për sezonin e ri. Sidomos ekipet që marrin pjesë në kupat e Europës.

Vllaznia pas dy afrimeve së fundmi, ka pasur edhe largime si Mustedanagic, Djurdjevic apo edhe Da Silva. Por një tjetër futbollist i rëndësishëm i kuqebluve është në orbitën e skuadrave të kryeqytetit.

Bëhet fjalë për Liridon Latifin. Burime të ndryshme për “Shkodra Sport” bëjnë të ditur në mënyrë ekskluzive që ekipi i Tiranës ka shfaqur interes për anësorin nga Prishtina. Bardheblutë edhe më parë kanë pasur interes për 28-vjeçarin në të shkuarën dhe duket se kësaj rradhe janë të bindur për të bërë një sakrificë për futbollistin e Vllaznisë.

Latifi ishte golashënuesi më i mirë në sezonit që sa po u mbyll në Superligë. Ai shënoi 12 gola me fanellën e shkodranëve e ndërsa dhuroi edhe 6 asiste për shokët gjatë edicionit. Duke qenë jo vetëm më i miri tek kuqeblutë, por edhe ndër më të mirët në kampionatin shqiptar.

Kështu pas Da Silvas që kaloi tek Partizani dhe që sot pritet të zyrtarizohet. Një tjetër futbollist i Vllaznisë si Latifi po “joshet” nga kryeqyteti. Megjithatë tek shkodranët janë të qetë pasi Latifi ka edhe 1 sezon kontratë me Vllazninë dhe vetëm një ofertë e majme ndaj tij do tundonte drejtuesit kuqeblu.
Endri ÇINARI