Sabion Bizi merr minuta ndaj Tërbunit, ende e paqartë e ardhmja e tij tek ekipi i parë i Vllaznisë
Nga Maringlen ZHIVANI
Mesfushori Sabion Bizi, ka marrë minuta në miqësoren e zhvilluar ditën e djeshme mes Vllaznisë dhe Tërbunit, duke qenë pjesë e grupit të lojtarëve të aktivizuar nga stafi kuqeblu dhe trajneri Edi Martini. Bizi është një nga futbollistët e rinj të dalë nga ambienti shkodran dhe tashmë është rikthyer në Shkodër pas një eksperience jashtë vendit. Sezonin e kaluar, mesfushori ka qenë pjesë e eksperiencave futbollistike në Greqi dhe Maltë, ndërsa tashmë ndodhet sërish pranë skuadrës kuqeblu. Aktivizimi i tij ndaj Tërbunit është një sinjal se Bizi po shihet nga afër nga stafi teknik në këtë periudhë përgatitore. Megjithatë, në këtë moment nuk ka ende një konfirmim nëse mesfushori 19-vjeçar do të jetë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ri. Fakti që Bizi është i datëlindjes 2007 e bën gjithashtu një profil interesant për skuadrën, duke pasur parasysh edhe ligjin e ri të FSHF që është vendosur së fundmi për lojtarët e kësaj moshe në formimin e skuadrës së sezonit të ri. Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij. Stafi teknik do të ketë mundësinë ta vlerësojë në seancat stërvitore dhe ndeshjet e radhës, përpara se të merret një vendim përfundimtar mbi qëndrimin e tij në ekipin e parë. Për momentin, Sabion Bizi mbetet një prej lojtarëve të rinj që po monitorohen nga Vllaznia, ndërsa aktivizimi ndaj Tërbunit tregon se dera për një përfshirje të tij në planet e sezonit të ri nuk është e mbyllur.


