Teuta ka vijuar dje përgatitjet në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, në kuadër të ndeshjes së të dielës në transfertë kundër Kastriotit. Pas programit me dy seanca në ditë, trajneri Edi Martini ka nisur të ulë ngarkesën dhe më shumë të fokusohet tek ana taktike.

I vetmi lojtari që ka punuar edhe dje veçmas grupit ka qenë braziliani Xhekson Ferreira, i cili vjen pas problemeve fizike. Seanca nisi me një nxehmje të lehtë, e më pas përgatitësi atletik, Mark Dodaj dhe zv.trajneri Bledar Hodo vazhduan punën me futbollistët me ushtrime fizike. Më pas trajneri Martini kërkoi të shikonte lojtarët në kushte loje. U testua edhe një ndeshje brenda grupit, ku trajneri dha indicie për formacionin.

Një problem për Teutën aktualisht është fakti se ka pak alternativa në qendër të mbrojtjes, aty ku klubi ende nuk po i konkretizon afrimet në merkato. Franc Veliu dhe Jorgo Pëllumbi janë lojtarët që Teuta interesohet për t’i afruar, me synimin që të kompletojë edhe qendrën e mbrojtjes.

Në kushtet kur ndeshja me Kastriotin po afron, trajneri Martini është i detyruar që të vazhdojë të përshtasë në mbrojtje një mesfushor shkatërrues si Albano Aleksi.

Ky i fundit pritet që të formojë dyshen me Ivanoviçin, ndërsa nga krahët e këtij reparti do të rreshtohen Todorovski dhe Kotobelli. Lojtari maqedonas lufton për një vend bashkë me Idrizajn, i cili e mbylli vitin 2021 si titullar.

Në mesfushë Martini ka provuar treshen Akuah-Daja-Avdyli. Sa i përket pjesës ofensive, Emiljano Vila dhe Lorenco Vila do të jenë nga krahët, ndërsa në majën e sulmit, i rikthyer Rubin Hebaj. Kandidat për sulmin është edhe kongolezi Kevin Koubemba.

Megjithatë, Martini ka edhe tri ditë në dispozicion për të fiksuar formacionin që do të hedhë në fushë kundër Kastriotit. Në këtë takim fitorja konsiderohet si një detyrim për kampionët në fuqi.