Humbja me Tiranën nuk ka lënë shije të hidhur te Teuta, e cila po përgatitet maksimalisht për sfidën ndaj Egnatias që do të luhet ditën e nesërme. Në konferencën për shtyp, trajneri Edi Martini është shprehur se nga humbja me bardheblutë kanë nxjerrë mësime pasi bënë shumë gabime.

Si e ka përjetuar skuadra humbjen ndaj Tiranës?

Të them të drejtën kanë qenë ditë pak të zymta, pasi përveç humbje, bëmë edhe një lojë jo të mirë. Ishte humbja e parë, por nga ajo ndeshje ne kemi nxjerrë shumë mësime. Bëmë shumë gabime, që sigurisht mund të korrigjohen, por ka edhe ditë të këqija dhe një prej tyre ishte ndaj Tiranës. Gjithsesi e kemi lënë pas krahëve tani.


Ju shqetëson fakti që po pësoni kaq shumë?

Unë e shoh gotën gjysmë plot. Vitin e kaluar na keni kritikuar se kemi shënuar pak dhe merrni po ashtu pak, ndërsa këtë sezon kemi marrë më shumë, por më gëzon edhe fakti që po shënojmë shumë. Pjesën e pësimit të golave do ta rregullojmë patjetër.


Si e shihni përballjen me Egnatian?

Egnatia është një ekip shumë i mirë, me lojtarë me eksperiencë, që qarkullojnë mirë topin dhe lënë pak hapësira. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe shumë e luftuar.

Cili është objektivi i Teutës në këtë transfertë?

Këtë kampionat ne kemi luajtur gjithmonë në fushë asnjanëse, për shkak të problemeve me fushën në Durrës. Megjithatë edhe ndaj Egnatias luajmë për të marrë tre pikët, pasi ky është objektivi i vetëm që kemi ndaj çdo kundërshtari.


Çfarë jeni munduar të rregulloni gjatë kësaj jave?

Gjatë javës kemi punuar më shumë në aspektin psikologjik, pasi jemi munduar të bisedojmë me skuadrën, në mënyrë që të mos përsëritim gabimet që bëmë ndaj Tiranës.