Edi Martini është i ndërgjegjshëm se që Teuta e tij të luftojë për kreun, i duhet të zgjidhë problemin më të madh që ka, raportin me golin.

Në konferencën e sotme për shtyp ai pranoi se shqetësimi kryesor ishte mungesa e finalizimit, pasi ekipi ishte nervoz para portës dhe kjo sillte të gjitha problemet.

“E kam theksuar edhe më parë që jemi shumë nervozë para portës, kërkojmë ta zgjidhim shpejt situatën dhe sjell nervozizëm. Megjithatë, rastet nuk kanë munguar, kemi punuar gjatë javëve ta riparojmë se është difekt realisht dhe mendoj se shumë shpejt do ta zgjidhim.

Në çdo ndeshje hyjmë për ta fituar dhe kjo nuk bën përjashtim nga të tjerat. E dimë që Bylisi është luftarak, ka të rinj që luftojnë shumë. Por qëllimi ynë është për të marrë tre pikët.

Ne shohim në çdo ndeshje si detyrim fitoren, nga e para te e fundit. Duke pasur parasysh që ekipet janë afër me njëri-tjetrin, duhet dhe kërkojmë t’i marrim. Pastaj është fusha ajo që do ta tregojë”, tha Martini. /vipsport