Edi Reja e ka parë me pozitivitet ndeshjen e sotme të Shqipërisë ndaj Uellsit. Trajneri i kuqezinjve theksoi se ekipi ka bërë gjithçka mirë në fazën mbrojtëse por mungonte ende pak siguri në kundërzbritjet e tij.

“Luajtëm mirë, ishim të ekuilibruar në pjesën e parë. Vuajtëm në pjesën e dytë se futëm sulmues të fortë fizikisht dhe luanin me top të gjatë. Por ne bëmë mirë në mbrojtje, munguan kundërzbritjet, nuk është se nuk më pëlqyen lojtarët, por ata ishin të fortë dhe duhet marr parasysh forca e skuadrës. Duhet të ndryshojmë sjellje për kundërsulmin, ne kemi frikë se punojmë mirë në mbrojtje, por kur jepet mundësia duhet të bëjmë më mirë në kundërzbritje.

Bëmë mirë në pjesën e parë, në pjesën e dytë vuajtëm shumë. Kur kundërshtarët shtyjnë e çbilancohen, duhet të kemi aftësinë të rinisemi dhe të mundohemi të bëjmë gol, sidomos në pjesën e dytë se skuadra që duan të fitojnë shtyjnë e duhet të jemi të aftë të përfitojmë. Por rezultati dhe paraqitja mbetet pozitive.

Seferi pat pak hapësira por u sakrifikua shumë. Balaj u paraqit shumë mirë në pjesën e parë duke mbajtur topin në luftën me qendërmbrojtësit kundërshtarë. Manaj dihet që kur ka topin është më i aftë se është më i miri që kemi në këtë aspekt.

Në përgjithësi më pëlqyen të katër sulmuesit dhe pastaj dua të theksoj Selmanin që kishim dyshime mos kishte emocione, por luajti me personalitet edhe në topin e lartë dhe kemi gjetur një të ri tjetër që mund të na shërbejë për perspektivën.

Mendoj se nga pikëpamja taktike kanë bërë mirë mbrojtësit, ndoshta kemi gabuar ndonjë pasim, por pastaj mendoj se kemi bërë mirë në fazën mbrojtëse. Duhet të marrësh parasysh që luajnë me lojtarë të rëndësishëm që luajnë me skuadra të rëndësishme angleze. Ne kemi bërë ndeshjen tonë dhe kemi bërë atë që duhej të bënim.

E kam thënë se nëse ka ndonjë defekt, është te kundërzbritjet, ndonjë vertikale në dalje. Por ata bënin shumë presing dhe janë të fortë fizikisht. Për karakteristikat që kemi, kemi treguar karakter. Nëse gjejmë më shumë siguri kur rinisemi, do të ishte një fitore e madhe që mund të na japë më shumë.

Trajneri rrëzohet por nuk mbetet në tokë, nga pikëpamja fizike kam treguar reagim, pastaj u inatosa me atë që shtyu, nuk më ndodhi asgjë, ishte një incident loje. Trajneri luan edhe ai e mund të ndodhë.

E dimë që kemi një forcë të caktuar në pikëpamjen mbrojtëse dhe në pikëpamjen individuale, ajo që duhet të përmirësojmë është teknika, pasimet dhe të bëjmë më pak gabime në aspektin kur dalim nga faza mbrojtëse. Krahët duhet të shoqërojnë aksionet e dy sulmuesit të mos luajnë të vetëm. Kemi kërkuar miqësore me skuadra superiore ndaj Shqipërisë, për të parë nëse po rritemi apo nëse kemi bërë hapa pas. Do të përmirësohemi se jemi për këtë arsye këtu, mendojmë për të ardhmen”, tha Reja. /vipsport/