Egnatia do të kërkojë fitoren e katërt në po kaq takime kundër Erzenit teksa do të përballet në transfertë me shijakasit. Sot në orën 18:00 në stadiumin “Arena e Demave”, pritet një duel i dyluftuar në kuadër të javës së 30-të në kategorinë Superiore.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova është shprehur se skuadra e tij do të kërkojë maksimumin kundër Erzenit. Tetova shtoi se për këtë takim do të mungojnë Xhemajli dhe Gjata por rrogozhinasit do të mundohen të ruajnë deri në kreun e klasifikimit.

“Unë kam respekt për kundërshtarin, i cili ka bërë shpesh herë mirë duke arritur rezultate pozitive edhe me ekipet që renditen lart në tabelën e klasifikimit. Erzeni nuk ka vetëm repartin e sulmit cilësor por është një ekip që luan në grup. Ne do të mundohemi të zhvillojnë lojën tonë ashtu siç përpiqemi të bëjmë ndaj çdo kundërshtari.

Egnatia ka treguar se mund të përballojë këdo madje edhe duke treguar superioritet në lojë dhe rezultate. Natyrisht që duhet të kemi kujdes pasi çdokush synon që t’i shfrytëzojë ato mundësi që arrin të krijojë para portës. Si Xhemajli ashtu edhe Gjata nuk do të jenë të diponueshëm për skuadrën në duelin me Erzenin. Lojtarët janë stërvitur individualisht këtë javë për të qenë gati, por nuk duam të rrezikojmë.

Synimi ynë dhe i stafit mjekësor është që të dy futbollistët të jenë të gatshëm për duelin pasardhës. Padiskutim që duam ta mbyllim vitin kalendarik të parët në klasifikim. Ne kemi udhëhequr për pjesën dërrmuese të sezonit dhe do të synojmë të bëjmë të njëjtën gjë deri në fund”- është shprehur Tetova.