Vllaznia ka krijuar një ekip të mirë pas janarit dhe ai nuk duhet ta vërë në diskutim qëndrimin në Superligë.

Një mendim të tillë e shfaqin njerëz të cilët kanë qenë pjesë e kësaj skuadre vite më parë dhe që tashmë ndjekin me vëmendje çdo lëvizje tek kuqeblutë.

Ish- futbollisti i Vllaznisë Edmond Doçi është i mendimit se skuadra po funksionon. Ai i jep të drejtë trajnerit Gjoka i cili ka kërkuar durim dhe pak kohë në dispozicion për të parë në fushë skuadrën e vërtetë.

“Nuk e njoh personalisht por kam krijuar një respekt në distancë për trajnerin Gjoka. Por duke e ndjekur në këto muaj që po punon në Shkodër, e shoh si një trajner që ka një karakter shumë të fortë.

Peripecitë që ka kaluar ai nëse do t’u kishin ndodhur shumë trajnerëve të tjerë, ata edhe mund të ishin tërheq por ky jo.

Ky është nga ata trajnerë që kur i vë një pikësynim vetes,ka dëshirë të luftojë deri në fund për ta arritur atë. Shprehja që ai përdori pas dy humbjeve me Kukësin e Skënderbeun ka qenë “durim, durim”.

Çka do të thotë se ai beson tek skuadra. Të them të drejtën për çdokënd është e kuptueshme se tashmë Vllaznia është e formuar më mirë nga sa ka qenë para fazës përgatitore.

Ekipi është më i kompletuar sepse janë bërë disa blerje, më të mirat e mundshme ndoshta në këtë periudhë.

Nuk mund të themi se kemi bërë super ekip por për të qëndruar në Superligë, padyshim që ai nuk duhet ta vërë në diskutim këtë gjë.

Besoj se pas tre rezultateve pozitive që Vllaznia ka arritur së fundi, mund të marrë edhe të katërtin të mërkurën në Laç”.
© shkodrasport.com