Tek Ada faza e dytë e kampionatit do të jetë shumë më ndryshe në krahasim me fazën e parë. Premtimi vjen nga njëri prej lojtarëve më të mirë të kësaj skuadre, ai që ka një përvojë të madhe dhe në Superligë me Vllazninë, pikërisht Edmond Doçi. 31 vjeçari e ka të qartë sesi duhet të funksionojnë gjërat në një skuadër dhe prandaj është në gjendje të shpjegojë edhe se çfarë nuk ka shkuar ashtu siç duhet në gjysmën e parë të kampionatit. Duke folur për “Shkodra Sport”, ai ka thënë: “Kemi patur në skuadër lojtarë të cilët kanë ardhur nga Vllaznia apo dhe skuadra të tjera të cilët nuk kanë luajtur në kampionatin e kaluar dhe duke qenë në pozita të tilla, kanë vonuar të dalin në lojën e tyre, të ambjentohen me pjesën tjetër të skuadrës. Duke luajtur, forma e tyre erdhi duke u rritur dhe në fund të fazës së parë, ata filluan të bëhen lojtarë të rëndësishëm për ne. unë shpresoj shumë se në fazën e dytë do të paraqitemi edhe më mirë”. Merkatoja e Adës ka nisur. Ka ardhur portieri Selimaj dhe në ditët e ardhshme pritet edhe ndonjë futbollist tjetër. Bashkëpunimi me drejtuesit e Vllaznisë është I ngushtë dhe me shumë mundësi do të ketë futbollistë të tjerë të huazuar nga ajo. Këtë gjë thotë edhe Doçi kur shprehet: “Porta është e sigurtë me ardhjen e Selimajt sepse bashkë me Dervishajn, janë një garanci të madhe. Po presim edhe lojtarë të tjerë sepse drejtuesit tanë janë në bisedime të vazhdueshme me ata të Vllaznisë dhe mund të vijnë disa futbollistë të rinj”. Në fakt, lojtarët e rinj nuk kanë shumë dëshirë të shkojnë tek Ada. Fakti që ata luajnë një kategori më poshtë ndoshta ndikon në psikologjinë e tyre por Edmond Doçi u bën një apel këtyre futbollistëve. “Erkoçeviç ende nuk është bashkuar me skuadrën pasi dëshiron të kthehet tek Vllaznia por meqë ka kontratë me Adën duhet ta respektojë atë. Aq më tepër se duke luajtur me të bie në sy dhe I hapet mundësia që në fund të sezonit të gjejë një skuadër. Unë I këshilloj futbollistët e rinj që janë pjesë e Vllaznisë të vijnë të luajnë tek Ada sepse duke luajtur, përfitojnë shumë. Mbase e kanë pak bezdi faktin se skuadra jonë është në kategorinë e parë por për ta e rëndësishme është që ata të luajnë-ka thënë mbrojtësi I majtë I velipojakëve. Në fund edhe pak fjalë për atë se çfarë mendon për fazën e dytë të kampionatit për të cilën Doçi do të shprehej: “Trajneri Kulli është duke punuar shumë gjatë kësaj periudhe për të riparuar ato defekte që kemi patur në lojën tonë dhe për këtë arsye jam I bindur se në fazën e dytë do përmirësohemi edhe më tepër dhe me shumë mundësi nuk do ta vëmë në dyshim qëndimin në kategorinë e parë, madje do të renditemi në një pozicion komod në mesin e tabelës”. Gjergj KOLA