Vllaznia e sivjetme ka një ego shumë më të madhe se ajo që ka patur në pesë sezonet e fundit dhe me pak personalitet më shumë në fushë, do të kishte patur rezultate më të mira. I këtij mendimi është ish- futbollisti i kësaj skuadre Edmond Doçi. Ai ka qene i ftuar mbremjen e se henes ne emisionin “Sport Arena” ne TV Rozafa.

Por para se të flasë për skuadrën kuqeblu, ai është ndalur tek situata aktuale në vend dhe dilema se çfarë do të ndodhë me kampionatin duke shpresuar gjithmonë në një përmirësim sa më të shpejtë të situatës në vend.

“Duke pasë parasysh se si po rrjedhin gjërat dhe ky virus po përhapet çdo ditë e më shumë, vendimi i Federatës tonë por edhe i shumë Federatave të tjera për t’i ndërprerë kampionatet, ka qenë vendimi më i drejtë që ato kanë marrë.

Por problemi i tyre besoj se ka për të qenë pas normalizimit të situatës. Duhet parë koha që do të kenë në dispozicion, për mënyrën si do t’i zhvillojnë ato, për mënyrën si do të përcaktohen skuadrat kampione dhe ato që bien nga kategoria.

Unë mendoj se këto vendime që do të marrin Federatat respektive në këto momente, do të përmenden gjatë sepse dikush do ta pësojë ndoshta në mënyrë jo të drejtë dhe do ta vuajë atë gjë”- ka thënë ish- futbollisti i Vllaznisë Doçi.

Nga ana tjetër, ai është ndalur edhe tek Vllaznia dhe fjendja e saj aktuale. “Kam folur edhe më përpara për skuadrën e këtij sezoni. Nuk më kanë pëlqyer shumë blerjet që janë bërë por më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë egoja me të cilën luan ekipi.

Një ego të tillë ka pesë vite që nuk e shohim tek Vllaznia dhe skuadra vërtetë i ka humbur disa ndeshje, por në fushë ka treguar ego dhe karakter. Vllaznia po vuan në krijimin e personalitetit të saj në fushën e lojës dhe kjo vjen ndoshta ngaqë një sezon më parë ka qenë në kategorinë e parë, por nuk është se ka një ekip të keq. Jam i bindur se do t’ia dalë të arrijë objektivin që ka”.
© shkodrasport.com