Nga Endri ÇINARI

Futbolli shqiptar nuk do pushojë as në mesjavë , ku skenën e merr kupa e Shqipërisë me gjysmëfinalet e kompeticionit. Dueli më i rëndësishëm i gjysmëfinaleve të kthimit mbetet ai mes Vllaznisë dhe Egnatias. Me dy ekipet që do zbresin në fushën e “Loro Boriçit” në orën 18:00 të ditës së sotme. Ku shkodranët do kërkojnë përmbysjen pas humbjes së parë në Roogozhinë në shifrat 1-0.

Egnatia mund të quhet pa frikë ekipi që pretendon të fitojë në dy fronte, si kampionat e po ashtu kupë. Ku po ashtu rrogozhinasit janë edhe fituesit në fuqi të kupës. Edhe sot në transfertën shkodrane, rrogozhinasit do duan një rezultat pozitiv. Kjo për të siguruar kualifkimin në finale. Timonieri i rrogozhinasve, Tetova duket se ka hartuar edhe planin dhe formacionin për ndeshjen ndaj kuqebluve.

Kështu në portë si zakonisht pritet Alen Sherri, një nga portierët më të mirë në kampionat. Në mbrojtje nga e djathta sërish një shkodran si Fangaj. Me Maloten dhe Xhemajlin në qendër dhe Dulyssen në të majtë do kompletohet reparti i prapavijës. Në mesfushë pritet të gjejnë vend emra si: Aleksi dhe Zejnullai, që do kenë edhe fantazinë e Fernandos.

Në sulm i paprekshëm duket Montenegro, lojtari i ardhur në merkaton e janarit. Sulmuesi nga Kosta Rika do ketë edhe mbështetjen Ibrahimoglu dhe Drame nga krahët. Një ndeshje për të mos u humbur sot mes Vllaznisë dhe Egnatias, ku dueli pritet me të vërtetë interesant dhe ku do përcaktohet ekipi që do kalojë në finalen e kupës./www.shkodrasport.com/