Egnatia pret me moralin e lartë ndeshjen e së dielës me Vllazninë për javën e 33-të të Superiores. Kualifikimi në finale të Kupës dhe shkëputja në krye të renditjes në kampionat i bën rrogozhinasit shumë komodë përpara një sfide të tillë.

Synimi është që skuadra të sigurojë edhe matematikisht vendin e parë, që do të sillte në arkat e klubit 100 milionë lekë. Në këtë sens, ka një arsye më shumë që të besuarit e trajnerit Edlir Tetova të japin gjithçka në fushë.

Po ashtu, në rast një suksesi kundër Vllazninë, skuadrës rrogozhinase i garantohet edhe një shpërblim prej 20 mijë eurosh, që akordohet për tri fitore radhazi dhe deri tani dy janë siguruara. Kryesuesit e Superiores do të luajnë për prestigj të dielën, por edhe për shpërblimin e klubit dhe të tyren.

NDRECA – Përballë Vllaznisë nuk do të jetë e lehtë. Shkodranët do të vijnë me “inatin” e eliminimit nga Kupa, por edhe me trajner të ri. Për ndeshjen e së dielës, Egnatia, që nuk ka humbur kurrë në shtëpi me Vllazninë, nuk do të kenë në dispozicion Edison Ndrecën. Mbrojtësi 29-vjeçar u largua nga fusha në ndeshjen e Kupës në mesjavë që në mesin e pjesës së parë, për shkak dëmtimi.

Ndreca ka kryer kontrollet e specializuara, që kanë treguar se ai duhet të ndalet për disa ditë, duke e humbur kështu sfidën e së dielës. Mbrojtësi i majtë ka pësuar një zgjatje muskulore të gradës së parë, që do të thotë se do t’i duhet një periudhë 10-ditore pushim. Gjatë këtij edicioni Ndreca ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 6 asiste në 25 ndeshje. Ai do të jetë i gatshëm për teknikun Tetova pas ndeshjeve me Vllazninë dhe Teutën.

Në anën tjetër, nuk ka asnjë problem për Arbin Zejnullain, i cili mori një goditje në kokë në Shkodër dhe u zëvendësua, ashtu si Ndreca. Mesfushori 24-vjeçar pritet të jetë nën urdhrat e trajnerit që në ndeshjen e së dielës ndaj Vllaznisë. Rrogozhinasit do të luajnë pa asnjë lloj presioni kundër Vllaznisë dhe me mbështetjen e tifozëve pritet të arrijnë suksesin e radhës.