Pas ekipit të parë të Vllaznisë, në ditët e para të gushtit pritet të nisin stërvitjen edhe ekipet e Akademisë së tij. Kuptohet që fillimisht do të zbresin në fushën e stërvitjes ekipet U19 dhe U17 që siç dihet, marrin pjesë në kampionatet e Ligës Profesioniste, ndërsa më pas edhe ekipet e tjera.

Në klubin shkodran janë duke marrë masat që gjithçka të shkojë ashtu si duhet dhe në sezonin e ri të ketë rezultate më të mira dhe po ashtu edhe më shumë cilësi. Nga ana tjetër, sa i takon trajnerëve të këtyre ekipeve, nga sa mësohet, tek ekipet U19 dhe U17 nuk do të ketë ndryshime edhe për sezonin e ri.

Kështu, Luan Zmijani do të drejtojë përsëri ekipin e të rinjve të Vllaznisë ndërsa atë të paratërinjve do ta drejtojë Brikeno Bizi. Drejtuesit e Akademisë kanë mbetur të kënaqur me punën e këtyre dy trajnerëve dhe duan t’i rikonfirmojnë sërish në ato pozicione megjithatë kjo gjë pritet të konfirmohet në ditët në vazhdim.

Sa i takon trajnerëve të ekipeve të tjera, nuk mendohet që të ketë shumë ndryshime nga organika e vjetshme. Ndërkohë një risi për edicionin e ri është edhe krijimi i kampionatit profesionist për grupmoshën U15 dhe pjesmarrës në të do të jetë edhe ekipi i Akademisë Vllaznia.

Kjo gjë do të shërbejë për mirë sepse do të shtojë konkurrencën dhe do të rrisë cilësinë. Por nga ana tjetër, po punohet edhe për përmirësimin e kushteve të stërvitjes dhe sigurimin e bazës materiale në mënyrë që gjithçka të funksionojë si duhet tek secili prej ekipeve të kësaj Akademie.
© shkodrasport.com